Shkup, 2 korrik – Seanca në të cilën Parlamenti përsëri do të votojë për Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për kontestin për emrin do të mbahet më 5 korrik. Kjo është dakorduar në takimin e sotëm koordinativ të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi me koordinatorët e grupeve parlamentare.
Javën e kaluar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë ishte dorëzuar vendimi i presidentit të shtetit Gjorge Ivanov me të cilën ai informon se nuk do ta nënshkruajë Dekretin për shpalljen e Ligjit për ratifikim të Marrëveshjes finale për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, për ndërprerjen e rëndësisë të Marrëveshjes së përkohshme nga viti 1995 dhe për vendosjen e partneriteti strategjik ndërmjet palëve.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e ratifikoi Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit me emrin më 20 qershor me 69 vota “pro” dhe 40 “kundër”, ndërsa në të njëjtën ditë ishte nënshkruar nga ana e Xhaferit dhe ishte dërguar deri te Kabineti i Ivanovit, i cili siç paralajmëroi e ktheu ligjin në afatin e paraparë pa e nënshkruar Dekretin.
Tani përsëri dalin në skenë deputetët. Që ta votojë ligjin për ratifikim Kuvendit i nevojitet shumicë prej 61 votave “pro”, Nëse votohet përsëri, marrëveshja do të dërgohet përsëri deri te presidenti, i cili sipas Kushtetutës është i obliguar ta nënshkruajë.
Pritet se edhe pas votimit të dytë Ivanov nuk do ta nënshkruajë Dekretin për ligjin për ratifikim të marrëveshjes për emrin dhe se do ta zbatojë të ashtuquajturën “veto në xhep”, siç bëri me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Ivanov për vendimin e tij për mos nënshkrimin e Dekretit për ligjin për ratifikim të marrëveshjes theksoi disa shkaqe.
Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit të emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë e nënshkruan ministrat e Punëve të Jashtme të të dyja vendeve Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias më 17 qershor në Psarades, në anën greke të Liqenit të Prespës. Në nënshkrimin e marrëveshjes morën pjesë edhe kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, ndërmjetësuesi Methju Nimic, nënsekretarja për Çështje Politike të Organizatës Botërore Rozmari Di Karllo, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini dhe komisari për Politikë Fqinjësore Evropiane dhe Bisedime dhe Zgjerim të BE-së Johanes Han.
Kryetari i Kuvendit Xhaferi paralajmëroi se pas votimit do ta dërgojë ligjin në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë me një nënshkrim, ndërsa në të njëjtën mënyrë do të veprojë edhe për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, dekretin e të cilit Ivanovi nuk e nënshkroi.