Shkup, 28 shkurt – Prej dje, e gjatë dhjetë ditëve të ardhshme, të gjithë personat e interesuar nga vendi dhe të huaj juridikë dhe fizikë mund të parashtrojnë kërkesë deri te Shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë (SHPPP) për pjesëmarrje në ankand publik për Mercedesin e blinduar “Mercedes-Benz C 600”.
Çmimi fillestar i ankandit është 14.372.208 denarë (233 mijë euro) dhe është i caktuar në bazë të vlerësimit të bërë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Byrosë për ekspertizë gjyqësore, ndërsa shpallja është publikuar në botimet e gazetave “Koha”, “Nova Makedonija” dhe “Slloboden peçat”. “Seriozitetin e ofertës të interesuarit e garantojnë me parashtrimin e garancës bankare me vlerë prej dy për qind nga çmimi i vlerësuar i automjetit, respektivisht 287.444 denarë”, tha drejtori i SHPPP-së, Pece Mirçevski në konferencën e djeshme në Qeveri. Ai saktësoi se kusht shtesë për personat fizikë është të jenë të aftë për biznes, të mos u është shqiptuar dënim për vepër penale për pjesëmarrje në organizatë kriminele, korrupsion, mashtrim apo larje parash dhe të kenë të paguar të gjitha taksat dhe kontributet ndaj shtetit. Ndërsa personat juridik duhet të dorëzojnë dhe gjendjen aktuale, si dhe vërtetim se nuk u është shqiptuar dënim për ndalim të përkohshëm ose të përhershëm të detyrës.
“Personat e interesuar do të mund të shohin veturën më 7 mars në periudhën prej 10 deri në ora 15 në adresën bul. ‘Goce Delçev’ pa numër në garazhin e ndërtesës të RTM-së. Pas skadimit të afatit për dorëzim të ofertave më 12 mars, Komisioni do të ketë afat prej tre ditëve për shqyrtim të ofertave, ndërsa ankandi publik do të kryhet më 16 mars në ora 10 me anë të një ankandi elektronik në faqen e internetit të Ministrisë së Financave.
Ofruesi, i cili do të dorëzojë ofertë më të volitshme në afat prej 15 ditëve nga marrja e njoftimit për përzgjedhje, do të duhet ta paguajë shumën përmes llogarisë bankare në Maqedoni, me çka do të firmoset marrëveshje për blerje dhe shitje në afat prej pesë ditëve pune pas pagesës. Nëse blerësi nuk e paguan shumën e plotë, marrëveshja nuk do të firmoset, ndërsa garancia bankare do të aktivizohet”, tha Mirçeski. Informacione shtesë, të interesuarit mund të kërkojnë në adresën elektronike [email protected]. (koha.mk)