Më 17 tetor do të kumtohet aktgjykimi për ngjarjet në Lagjen e Trimave në Kumanovë në maj të vitit 2015. Në seancën e sotme të fundit të akuzuarit dhe avokatët e tyre i dhanë fjalët përmbyllëse. Gjykata Penale e Shkupit duhet të vendosë për lartësinë e dënimit për 37-të të akuzuarit për terrorizëm dhe për organizim terrorist. Prokuroria kërkoi burg të përjetshëm për të gjithë 37 të akuzuarit për terrorizëm dhe organizim terrorist. Avokatët e të akuzuarve, nga ana tjetër, kërkojnë aktgjykime për lirim, pasi që sipas tyre ka mungesë të dëshmive për veprën e kryer penale. Më 9 dhe 10 maj 2015, në “Lagjen e Trimave” një grup i armatosur u përplas me forcat e sigurisë. Nga të shtënat jetën e humbën tetë policë dhe dhjetë persona të grupit të armatosur ndërsa u plagosën rëndë edhe katërmbëdhjetë policë të njësive speciale dhe të veçanta.