Zejnulla VESELI
Shkup, 11 shtator – Më datë 14 shtator skadon afati i aplikimeve për objektet turistike-hotelerike për pranimin e familjeve që kanë të ardhura më pak se 22 mijë denarë. Kjo masë u miratua nga Qeveria javë më parë me qëllim që t’ju mundësojë pushime edhe kategorive të rrezikuara sociale, shkruan gazeta KOHA. Nga Ministria e Ekonomisë njoftojnë se dita-ditës po rritet interesimi i hoteliereve të cilët janë të gatshëm të pranojnë rreth 4000 mijë familje për 5 ditë pushime. Prej aty theksojnë se pas datës 14 shtator do të dihet saktë numri i hoteleve dhe kapaciteteve se sa familje mund ata t’i akomodojnë. “Pas datës 14 të muajit shtator ministria e Ekonomisë do të ketë saktë numrin e hoteleve brenda Maqedonisë dhe kushtet që ata ofrojnë si dhe çfarë pako promovuese me çmime reale dhe në përputhje me standardet e ushqimit kanë ato”, thotë Naim Vrenezi, zëdhënës në ministrinë e Ekonomisë. Pasi ministria e Ekonomisë do të ketë listën e saktë të hoteleve, atëherë do të mund të aplikojnë të gjithë ata punëtorë që kanë të ardhura në familje më pak se 22 mijë denarë. “Për kohën se kur do të mund të aplikojnë punëtorët që kanë të hyra mujore në familje më pak se 22 mijë denarë, ministria e Ekonomia do të del me informatë të saktë. Për këtë masë nuk kanë të drejtë të aplikojnë të papunët dhe familjet që janë bartës të ndihmave sociale”, thotë Vrenezi. Qëllimi kryesor i kësaj mase, thotë ai, është që personave me të ardhura të ulëta në vlerë deri në 22 mijë denarë t’ju mundësohet të shfrytëzojnë pushimet vjetore në qendrat turistike të Republikës së Maqedonisë dhe kjo do të realizohet sipas parimit “i pari vjen, i pari shërbehet”. “Të gjithë ata persona që do të përzgjidhen nga ministria e Ekonomisë do të marrin një vërtetim me vlerë prej 15 mijë denarësh dhe më pas duhet të shkojnë në ministrinë e Financave të marrin vauçer në vlerë prej 15 mijë denarëve. Pasi të marrin vauçerin, nga muaji nëntor mund të bëjnë përzgjedhjen e hotelit se ku duan të kalojnë 5 ditë pushime. Vauçeri vlen vetëm për hotelet në qendrat turistike në Maqedoni”, njofton Vrenezi. Menjëherë me publikimin e thirrjes nga Ministria e Ekonomisë, sipas zëdhënësit Vrenezi, të drejtë aplikimi kanë të gjithë ata punëtorë që kanë të hyra familjare deri më 22 mijë denarë, por ketë drejtë nuk e kanë të papunët dehe familjet që marrin ndihma sociale. “Të drejtë aplikimi kanë vetëm të punësuarit, jo të papunët apo ata me ndihma sociale. Do t’ju ndajmë 4000 familjeve nga 15 000 denarë, me të cilat mund të pushojnë 5 net në hotele jashtë qyteteve ku jetojnë. Për këtë ministria e Ekonomisë hotelet do t’i subvencion me 60 milionë denarë. Pra, nëse një i punësuar ka katër anëtarë ndërsa të hyrat mujore janë deri më 22 mijë denarë, atëherë ka të drejtën se bashku më anëtarët e tjerë të familjes të shkojë për pushime në njërën nga qendrat turistike në Maqedoni, të cilën ai vetë do at zgjedhë. Të drejtën e shfrytëzimit të pushimit e fiton menjëherë pasi të merr vauçerin, kështu që nga fillimi i muajit nëntor mund të organizon pushimin prej 5 ditëve”, thotë Naim Vrenezi, zëdhënës në Ministrinë e Ekonomisë. (koha.mk)