Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së ka vendosur që seanca e Kuvendit të Kosovës për formimin e Ushtrisë të mbahet më 14 dhjetor.
Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, Veseli ka propozuar që seanca që transformon Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të mbahet më 14 dhjetor.
“Më 14 dhjetor 2018 do ta kemi zyrtarisht Ushtrinë e Kosovës. Kjo është data kur në Kuvendin e Kosovës do t’i votojmë Projektligjet që e transformojnë FSK-në në Ushtri. Na priftë e mbara dhe urime të gjithëve”, ka shkruar Kreu i Kuvendit në faqen e tij në Facebook.
Shndërrimi i FSK’së në ushtri nisi kur Haradinaj u kthye nga një takim në Amerikë dhe tha se me bekimin e tyre, inicoi tri projektligjet që FSK’në e bëjnë ushtri.
Ndryshe, Kuvendi kishte votuar muajin e shkuar në lexim të parë pakon e ligjeve të FSK’së, ndërkaq me 14 pritet që ato të kalojnë në lexim të dytë, që nënkupton se Kosova zyrtarisht ka ushtrinë e saj.