Conor McGregor është zotuar se do të blejë mjete mbrojtëse për spitalet në Irlandë në vlerë 1 milion euro, për ta luftuar koronavirusin në vend.
Në një shkëmbim privat në Twitter me ministrin e Financave të Irlandës, Paschal Donohoe, të cilin McGregor e bëri publike më vonë, ylli i UFC-së tha se planifikon të blejë mjete mbrojtëse ndaj virusit të mërkurën dhe pastaj t’ua shpërndajë ato spitaleve në Dublin, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta KOHA.
Ndihma e tij vjen vetëm një ditë pasi 31-vjeçari i lindur në Dublin, i kishte bërë thirrje qeverisë së vendit të luftonte kundër koronavirusit duke e mbyllur vendin menjëherë përmes gjendjes së jashtëzakonshme.
McGregor bëri thirrje që të gjitha zonat ndërtimore të mbyllen, gjithashtu.
“Sot po blej vetë mjete mbrojtëse në vlerë 1 milion euro, të cilat do t’iu ndahen spitaleve që po luftojnë (koronavirusin) në rajon”, McGregor i tha ministrit Donoue.