E ardhmja e Conor McGregor ende është në dilemë për shkak të incidentit të krijuar pas eventit UFC-229, ku ai u përfshi në një sherr masiv së bashku me Khabib Nurmagomedov. Por kampioni irlandez i arteve marciale mikse, sportisti më i pasur i kësaj disipline, asnjëherë nuk harron të provokojë me deklaratat e tij. Më e fundit sot, kur përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në “Twitter”, ka shkruar se viti 2019 do të jetë shpërthyes për të.
Një deklaratë e shoqëruar me foto nga stërvitja e tij në ring, duke lënë të dyshosh se sfida e tij e radhës mund të mos jetë në artet marciale mikse por në boks. Një zgjedhje kjo ndoshta e kushtëzuar nga fakti se McGregor mund të pezullohet për një periudhë të gjatë ntga Komisioni i Sportit në Nevada, pas incidentit në UFC-229.
“Së shpejti me lajme të reja”, thotë më tej McGregor, duke mbajtur kështu në ankth fansat e tij në lidhje me të ardhmen. McGregor nuk duelon në kafaz që prej 6 tetorit, kur u mund me “submission” nga Khabib Nurmagomedov, me rusin që mbrojti titullin kampion bote në peshën e lehtë. Komisioni i Sportit në Nevada ka bërë me dije se të dy sportistët do të dëgjohen nga një panel i pavarur më 29 janar, në Las Vegas para se të marrë një vendim.