Irlandezi Conor McGregor shkruan historinë e UFC-së, duke u bërë sportisti i parë në Artet Marciale Mikse (MMA) që mban dy tituj kampionë bote në dy kategori peshash të ndryshme. McGregor, një nga ikonat e këtij sporti, mposhti amerikanin Eddie Alvarez, duke e hedhur “KO” në raundin e dytë dhe duke festuar si i çmendur këtë triumf në UFC-205 të zhvilluar në “Madison Square Garden” të Nju Jorkut. Duel zgjati vetëm dy raunde, me irlandezin që pati dominim absolut në kafaz, duke e mposhtur në çdo drejtim Alvarez, që u detyrua të pranojë disfatën. Madje që në raundin e parë Alvarez përfundoi tri herë në tapet, prej gjuajtjeve të forta të McGregor.
Edhe pse Alvarez tentoi ta nisë duelin në sulm, irlandezi ishte i qetë dhe priste momentin e duhur për të goditur kundërshtarin. Dhe ai moment erdhi, me McGregor që ishte i pamëshirshëm në oktagon, duke e hedhur disa herë në tapet rivalin dhe sulmuar vazhdimisht. Edhe në raundin e dytë e njëjta pamje, me irlandezin që përdorte çdo aftësi për të mposhtur rivalin amerikan, që e gjakosi jo pak gjatë këtij dueli, një Alvarez anonim dhe pa forcë, kjo edhe për meritë të irlandezit, që ishte më superior në kafaz.
Kjo detyroi gjyqtarin të ndërpriste sfidën në raundin e dytë dhe t’i jepte fitoren irlandezit, që festonte në kafaz. Tashmë ai mban dy tituj kampion bote në UFC, atë te peshës pupël dhe peshës së lehtë.