Më 20 shtator do të zhvillohet në Nju Jork konferenca e shtypit mes Conor McGregor dhe Khabib Nurmagomedov, në prag të eventit UFC-229 që do të zhvillohet më 6 tetor në Las Vegas. Një konferencë ku do të promovohet kjo sfidë e vlefshme për titullin kampion bote në peshën e lehtë mes ish-kampionit (McGregor) dhe kampionit aktual (Nurmagomedov).
Ku qëndron problemi? Konferenca do të jetë vetëm për disa gazetarë të seleksionuar nga UFC-ja dhe jo për publikun. Por McGregor ka një ide, që e ka postuar në faqen e tij zyrtare në “Twitter”. Ai kërkon të ftojë fansat e tij në konferencën e shtypit, por me një kusht, me një çmim të vogël.
“Konferenca e shtypit do të jetë e hapur për publikun dhe çmimi i biletës do të jetë një shishe uiski e markës Proper Whiskey”, thotë McGregor, duke i bërë reklamë markës së tij të uiskit që ka nxjerrë së fundi në treg. “Njerëzit e mi do të jenë jashtë sallës së konferencës për të siguruar që ju do të bleni shishen dhe të jeni aty”, shkruan më tej McGregor.
Konferenca e shtypit do të shafqet “live” për fansat në një nga ekranet e mëdhenj të Times Square në Broadway dhe do të nisë rreth orës 11:00 të mbrëmjes me orën shqiptare.