Conor McGregor ka konfirmuar se është në bisedime me UFC-në për t’u rikthyer së shpejti në kafaz. Irlandezi ka shënjestruar korrikun si datën e rikthimit të tij në një duel, që pas humbjes që pësoi në eventin UFC-229, ndaj Khabib Nurmagomedov, në tetor të vitit të kaluar.
Pas incidentit që u krijua pas duelit McGregor u pezullua 6 muaj, dënim që ka kaluar. Sipas mediave, irlandezi pritet të duelojë ndaj Donald Cerrone, por edhe Nate Diaz është mes kandidatëve të mundshëm.
Duke folur për ABC News, në ditën e Shën Patrikut, në festimet e kryera në Chicago, irlandezi tha: “Po, jemi në bisedime me UFC-në dhe Dana White për duelin e radhës. Objektivi im është të ndeshem në korrik, por të shohim se çfarë do të ndodhë deri atëherë.
Unë u kam thënë drejtuesve të UFC-së se jam gati. Edhe sot që është ditë feste kam ndjekur planin tim të punës. Ne jemi duke bërë maksimumin për t’u rikthyer në kafaz sa më shpejt”, thas Conor McGregor.