Conor McGregor është i bindur se do të rikthehet kampion bote në UFC dhe se do t’ia rrëmbejë titullin rusit Khabib Nurmagomedov. Dy sportistët nuk arritën të zhvillojnë përballjen e zakonshme para mediave, pasi irlandezi mbërriti me vonesë, ndërkohë që Khabib ishte larguar. Megjithatë, McGregor, si gjithnjë, arriti të ngrejë sallën në këmbë dhe të krijojë rrëmujë me deklaratat e tij.
“Khabib mund të jetë zënë me një ari në të shkuarën, por ai nuk është përballur kurrë me një gorilla irlandeze. Do të mësojë për herë të parë se çfarë është të duelosh me një kampion. Unë atë titull e kam fituar me djersë dhe do të rimarr atë që më morën padrejtësisht. Ndaj të dielën do të festojmë të gjithë së bashku”, u shpreh Conor McGregor.
Dueli mes Conor McGregor dhe Khabib Nurmagomedov do të zhvillohet më 6 tetor në “T-Mobile Arena” të Las Vegasit dhe është i vlefshëm për titullin kampion bote të peshës së lehtë. Rusi e fitoi këtë titull në prill të këtij viti dhe kjo është hera e parë që do ta mbrojë atë.