Mbytja me dashje, trendi i frikshëm i trafikantëve

Plot 55 emigrantë të tjerë humbën jetën, pasi u mbytën me dashje nga trafikantët. Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin tha se ngjarja ndodhi pasi anija ishte larguar nga brigjet e Jemenit, e trafikantët detyruan rreth 180 njerëz që të hidheshin në det. Ky është incidenti i dytë i tillë në po kaq ditë. Rreth 50 emigrantë humbën jetën të mërkurën, pasi u hodhën nga anija nga trafikantët që donin t’i shpëtonin arrestimin. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, ekspërtët druhen se ky mund të jetë një trend i ri. Zyrtarë të IOM-së thanë se trafikantët e njerëzve e dinë shumë mirë se për ta situata është e rrezikshme dhe mund të qëllohen pa paralajmërim, prandaj i hedhin emigrantët në det pa mbërritur në breg. Nga incidenti tragjik i së enjtes janë gjetur vetëm 5 trupa dhe rojet bregdetare thonë se 50 të humburit tashmë konsiderohen të vdekur. Pavarësisht luftës civile dhe situatës së rëndë humanitare, për shumë afrikanë Jemeni është ende porta drejt vendeve të tjera të Gjirit Persik apo Europës. Më shumë se 55 mijë njerëz janë larguar nga Somalia drejt Jemenit këtë vit, më shumë se gjysma e tyre nën 18 vjeç dhe një e treta femra. Shumë prej tyre përpiqen që të mbërrijnë në Europë nga Libia dhe Mesdheu.