Një 29-vjeçar shqiptar është arrestuar sot nga policia italiane me akuzën e vrasjes me qëllim të shtetases italiane Rosa Maria Radicci, 71 vjeç. Ngjarja ka ndodhur natën e 13 nëntorit në vilën e viktimës në komunën Palese në provincën e Barit. Sipas policisë italiane vrasja është kryer për motive personale, pasi 29-vjeçari shqiptar ka punuar për disa kohë në picerinë në pronësi të djalit të viktimës. Ekspertiza ka vërtetuar se vrasja e 71-vjeçares italiane ka qenë makabre, pasi autori i krimit fillimisht e ka mbytur duke i shtrënguar duart në fyt e më pas i ka lidhur rreth kokës një qese të shtrënguar me ngjitëse. Ka qenë provat e DNA të gjetura në vendin e krimit, të cilat kanë vërtetuar se 29-vjeçari shqiptar është autori i vrasjes.