Arsye shtesë për mbylljen e kësaj qendre, siç nënvizojnë nga AUV, është mungesa e hapësirave të përshtatshme për trajtimin e qenve të sëmurë. Në kundërshtim me dispozitat Ligjore, në “Vardarishte”, në një kafaz janë vendosur qentë e shëndosh dhe ata të sëmurë
Omer XHAFERI
Shkup, 9 prill – Vetëm nëse qeni ju kafshon, atëherë shërbimet përkatëse të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” do të mund të veprojnë. Ndryshe, deri në fillim të muajit maj, Qendra për kafshët endacak “Vardarishte” do të jetë e mbyllura. Ky vendim është marrë nga Agjencia për ushqim dhe veterinari, pasi nga kontrolli i realizuar më 19 mars, është konstatuar se në këtë Qendër ka lëshime gjatë punës dhe se janë paraqitur sëmundje ngjitëse, shkruan gazeta KOHA.
“Në fuqi është ndalesa prej 30 ditëve për kapjen e qenve endacak. Gjatë kësaj periudhe qentë do të kapen dhe në Qendrën ‘Vardarishte’ do të pranohen ata që kanë kafshuar njeri, respektivisht vetëm nëse dorëzohen ankesë deri te Agjencia. Veterinarët zyrtarë urdhëruan edhe zbatimin e masave për dezinfektim të plotë në këtë Qendër, edhe atë pesë ditë para hapjes së saj”, thonë nga Agjencia për ushqim dhe veterinari (AUV).
Duke e arsyetuar këtë vendim, nga AUV thonë se gjatë kontrollit në “Vardarishte” janë gjetur qenë endacak të dalë nga kafazet e tyre dhe kafshë tjera që janë futur brenda nga gardhi i dëmtuar. Njëkohësit, siç theksojnë ata, është vërtetuar se nuk ka kontroll të plotë në hyrje – daljen e Qendrës së pranimit. Mungesa e mirëqenies dhe higjienës paraqesin ndër arsyet kryesore se pse “Vardarishte” është mbyllur. Arsye shtesë për mbylljen e kësaj qendre, siç nënvizojnë nga AUV, është mungesa e hapësirave të përshtatshme për trajtimin e qenve të sëmurë. Në kundërshtim me dispozitat Ligjore, në “Vardarishte”, në një kafaz janë vendosur qentë e shëndosh dhe ata të sëmurë.
“Pas kontrollit janë dhënë udhëzime për mënjanimin e lëshimeve të konstatuara. Kafshëve të kapura me urgjencë t’ju vendosen çipe, apo mjete tjera identifikimi, respektivisht të njëjtat të kthehen në vendin ku janë kapur në afat prej 30 ditëve. Në këtë Qendër pranimi ndalohet të pranohen qen të vegjël më të vegjël se 6 muaj. Më 2 prill është realizuar një kontroll i re dhe është konstatuar se po veprohen në bazë të udhëzimeve të dhëna. Pjesërisht është rregulluar gardhi mbrojtës. Hyrje-daljet e Qendrës së pranimit janë vënë nën kontroll. Njëherësh janë ndërmarrë masa për realizimin e procesit të dezinfektimit”, potencojnë nga AUV. Përkundër shumë problem urbane, prezenca e qenve endacak nëpër rrugët e Shkupit, paraqet njërën prej brengave më të madhe të banorëve të kryeqytetit. Në radhë të parë ata shqetësohen për sigurinë dhe frikën nga kafshimet, pastaj renditen çështjet e higjienës dhe rreziqet tjera.
Ndryshe, në tentim për zgjidhjen e kaosit me qentë endacak, Qyteti i Shkupit në muajin shkurt e themeloi Ndërmarrjen Publike “Llajka”, e cila duhet të merret me problemet dhe sfidat e qenve endacak në Shkup. (koha.mk)