Alex Morgan do të mungojë në të gjithë pjesën tjetër të sezonit të Orlando Pride në National Women’s Soccer League (NWSL), nivelit të parë të futbollit të grave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që e ka dëmtuar gjurin e këmbës së djathtë. 30-vjeçarja e pësoi lëndimin gjatë turneut të Kupës së Botës me ekipin kombëtar të SHBA-së, me të cilat u shpall kampione e botës, mirëpo lëndimi i saj u përkeqësua edhe më shumë gjatë një ndeshjeje me Orlando Pride, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Morgan foli për sezonin e saj emocional, përfshirë këtu triumfin në Kupën e Botës që u zhvillua në Francë, dhe premtoi se do të kthehet sezonin tjetër pasi ta fillojë rehabilitimin.
“Ky vit i ka pasur momentet më të mirë të mundshme, mirëpo i ka pasur edhe disa sfida dhe nganjëherë ti nuk mund t’i arrish qëllimet që ia ke vënë vetes për vitin 2019”, shkroi Morgan në Instagram.
“Unë jam e zhgënjyer se nuk do të mundem të garoj me Pride për pjesën e mbetur të sezonit të këtij viti për shkak të një lëndimi të gjurit, të cilin kam qenë duke e menaxhuar që nga Kupa e Botës. Më vjen keq që s’mund të jem aty për t’iu ndihmuar bashkëlojtareve dhe klubit për të arritur më shumë suksese”.
“Faleminderit tifozëve, shoqërisë, bashkëlojtareve dhe skuadrave dhe skuadrave për mbështetjen. Tashmë e kemi nisur procesin rikuperues në Los Angeles dhe mezi po pres të kthehem në fushë për ta bërë atë që e dua”.