Shkup, 21 prill – Në orën 19 janë mbyllur vendvotimet ku qytetarët e Republikës së Maqedonisë së veriut mundën të votojnë në raundin e parë të zgjedhjeve të gjashta presidenciale. Pas mbylljes së vendvotimeve do të mund të votojnë vetëm personat të cilët në atë momentin janë hasur në objektin ku votohet, përcjellë KOHA.
Në 3.480 vendvotime në Republikë dhe 32 në vendet e huaja në zgjedhjet gjashta presidenciale kanë mundur të votojnë 1.808.131 qytetarë të regjistruar në listën zgjedhore. Vendvotimet u hapën në orën 7:00.
Zëdhënësja e KSHZ-së, Lupka Guguçevska informoi se votimi nuk është mbajtur në një vendvotim në Komunën e Studeniçanit, sepse hapja ishte me vonesë më shumë se tre orë.
Jehona në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale deri në orën 17 është 35,13 për qind. Sipas vlerësimeve të para të KSHZ-së, MPB-së dhe vëzhguesve, dita e zgjedhjeve ka kaluar qetë dhe pa probleme.
Në zgjedhjet presidenciale qytetarët kanë mundur të zgjedhin midis kandidatëve të LSDM-së dhe koalicionit Stevo Pendarovskin, të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit Gordana Silanovska-Davkovës dhe Blerim Rekës, i cili është mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.
Në raundin e parë fitues mund të jetë kandidati i cili ka marrë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i zgjedhësve, gjegjësisht 904.066 votues.
Sipas nenit 81 të Kushtetutës, nëse në raundin e parë askush nuk e merr shumicën e nevojshme, në raundin e dytë shkojnë dy kandidatë që kanë fituar më shumë vota në raundin e parë.
Raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet në afat prej 14 ditëve pas përfundimit të raundit të parë të votimit, më 5 maj. Për president zgjidhet kandidati i cili ka marrë shumicën e votave, nëse në vendvotime kanë dalë më shumë se 40 për qind e zgjedhësve të regjistruar, gjegjësisht 723.253 votues, që është paraparë me nenin 121, paragrafi 3 nga Kodi Zgjedhor.
Nëse edhe në raundin e dytë asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë numër të nevojshëm të votave, përsëritet e gjithë procedura zgjedhore.
Dje, një ditë para zgjedhjeve, kanë votuar të mërgimtarët, personat në shtëpitë ndëshkues-përmirësuese, persona të shpërngulur brenda vendit, personat që janë në arrest shtëpiak dhe personat e sëmurë dhe të moshuar të cilët këtë e kanë kërkuar nga komisionet komunale zgjedhore.
Procesverbalet dhe materiali tjetër zgjedhor këshillat zgjedhor i dorëzojnë deri te KKZ-të në afat prej pesë orë pas përfundimit të votimit. KKZ-ja kompetente pastaj i mbledh rezultatet e votimit, përpilon procesverbale dhe ia dorëzon KSHZ-së.
KSHZ-ja rezultatet e para të votimit të marra përmes rrugës elektronike i publikon në mënyrë suksesive, ndërsa rezultatet e procesverbalet nga KKZ në afat prej 12 orëve pas përfundimit të zgjedhjeve.
KSHZ rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve i publikon në afat prej 24 orëve nga dita e përfundimit të tyre.
Që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë në karrigen e presidentit janë ulur katër presidentë. Presidenti i parë Kiro Gligorov dhe presidenti aktual Gjorge Ivanov funksiononin e presidentit e kanë kryer në dy mandate, ndërsa nga një mandat kanë pasur Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenkovski.
Zgjedhjet presidenciale i kanë vëzhguar 3.150 vëzhgues vendor dhe 418 të huaj, të akredituar nga KSHZ-ja. (koha.mk)