Berlin, 29 prill – Ka mbyllur punimet mbrëmjen e së hënës samiti i Berlinit, i organizuar me nismë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Makron, raporton AbcNeës, përcjellë gazeta KOHA.
Në këtë samit është diskutuar perspektiva e rajonit të Ballkanit perëndimor, me theks të veçantë në zgjidhjen e problemeve ekzistuese. Në prani të liderëve të vendeve të Ballkanit, mes të cilëve kryeministrit Zoran Zaev, zv/kryeministrit Bujar Osmani, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i Kosovës, Ramush Haradinaj etj., u diskutua mes të tjerash për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton KOHA.
Sikurse paralajmëroi më herët presidenti Makron, në sesionin përmbyllës të samitit u diskutuan të gjitha opsionet e mundshme në mënyrë që palët të rikthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli.
Kancelarja Merkel dhe presidenti Makron, në prani edhe të shefes së Politikës së Jashtme të BE, Federika Mogerini morën si shembull Marrëveshjen e Prespës për tejkalimin e mosmarrëveshjeve në rajon. Sa i takon integrimit të vendeve të rajonit, në samit nuk është diskutuar për procedurat e negocimit, sepse, siç tha zonja Merkel në konferencën për shtyp, për këtë gjë kujdesen komisionet. (koha.mk)