10 shqiptarë, të akuzuar si anëtarë të dy bandave, të cilët mbushën rrugët e Belgjikës me drogë kanë dalë para gjykatës. Hetimet për ta nisën në fillim të 2016 -ës, pas ankesave të mbërritura në polici nga banorët e Ghent, për shpërndarje të drogës në rrugët e qytetit. Hetimet çuan në zbulimin e dy bandave, që operonin në këtë zonë. Ata e fshinin drogën në makina luksoze, në sende të ndryshme nëpër rrugë, në kuti lulesh dhe në kafene Springs, në zonën e Zuidstationstraat. Droga fshihej nëpër këto vende në mënyrë që shpërndarësit të mos e mbanin me vete. Kokaina që nuk shitej, fshihej nëpër tualetet e lokaleve, në pritje për t’u shpërndarë sipas kërkesës. Mediat belge shkruajnë se banda tjetër, e përbërë po nga shqiptarë, operonte nga kafene Number One dhe përgjatë rrugës ku ndodhej. Të dyja këto banda ishin të mirëorganizuara. Banda e Springs ishte shumë më e madhe dhe kishte një rreze më të madhe veprimi në Ghent. Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar të enjten, u zbulua se policia kishte kryer plot 2,600 orë hetime për rastin në fjalë. Fakti se çështja kishte kaluar nga lokale në federale, bëri që agjentët e Dendermonde të operonin edhe në Ghent. Policia arriti në zbulimin e këtyre bandave falë përgjimit të telefonatave nga dy telefona celularë të dy prostitutave, që përdoreshin për porosi. “Kështu, arritëm të zbulonim se kush e shiste drogën dhe çfarë kodesh përdornin për të komunikuar. Kërkonin gjithnjë për X numër minutash dhe X ishte për sasinë e drogës së kërkuar. Në total u zbuluan 43 numra telefoni”, tha akuza përpara gjykatës. Anëtarët e bandë së kafe Springs, fshiheshin nëpër shtëpi të sigurta, të cilat merreshin me qira për një periudhë të caktuar kohe dhe paguheshin me para në dorë. Ata u arrestuan nga policia në fund të Tetorit 2016 -të, në vende të ndryshme. Të arrestuarit rrezikojnë deri në 5 vjet burg dhe mbi 15 mijë euro gjobë. Fitimet e grumbulluara nga shitja e drogës përllogaritet se kapin vlerën e mbi 500 mijë eurove. Sipas akuzës belge, 10 të pandehurit kishin shkuar në Ghent me qëllimin e vetëm për të shitur drogë. Vendimi për ta pritet të jepet më 27 shtator.