Rregullimi me mburoja i kësaj rruge ishte kërkesë e banorëve të fshatrave të Merovës dhe Sallarevës të cilët qarkullojnë në këtë rrugë mjaft të rrezikshme, ndërsa gjatë verës u shënua edhe një aksident me viktima
Urim HASIPI
Tetovë, 3 janar – Rruga Merovë-Sallarevë, e cila paraqet rrezik për drejtuesit e automjeteve për shkak të mungesës së mburojave përgjatë saj, së fundi ka bërë që autoritetet e kësaj komune më seriozisht të merren me këtë problem, shkruan gazeta KOHA. Banorët disa herë ishin ankuar se mungojnë mburojat, kurse në disa vende të njëjtat janë dëmtuar. Kryetari i komunës së Zhelinës, Blerim Sjediu, thotë se banorëve iu është premtuar se do të rregullohet ky problem dhe tashmë është duke u realizuar. Ai thotë se ky problem është adresuar në komunën që drejton ai dhe është marrë parasysh që të realizohet.
“Në Sallarevë është edhe atje një investim urgjent kisha thënë për ata banorë pasi ata që për çdo ditë e kalojnë atë rrugë rrezikohen . Ne që në fillim kur jemi ballafaquar me ata qytetarë kemi parë se ajo ka qenë një kërkesë ndër prioritaret dhe ne në atë kohë ne ju premtuam atyre dhe ja sot erdh momenti që ta realizojmë atë premtim dhe mendoj se është një investim shumë i duhur “, tha kryetari i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu. Ai është shprehur se punimet janë duke u zhvilluar me tempo të përshpejtuar dhe se së shpejti do të përfundojnë.
“Faza e dytë është kryer dhe tani faza përfundimtare ka ngelur edhe një javë që të kryhet , për shkak të kushteve klimatike është dashur që punimet të ndalen, por punimet do të vazhdojnë dhe një pjesë e madhe e këtyre punimeve është përfunduar. Qytetarët besoj se janë të kënaqur por edhe ne kemi dalë të kënaqur edhe nga kompania por edhe nga mënyra edhe nga lloji i atyre materialeve që janë vendosur aty “, deklaroi Sejdiu.
Rruga që shpie nga fshati Merovë për në fshatin Sallarëvë të komunës së Zhelinës është një ndër rrugët më të rrezikshme që bie në atarin e komunës së Zhelinës, kjo për shkak se në shumë pjesë të saj asfalti është i dëmtuar, por ka edhe shumë tatëpjetëza të rrezikshme të cilat nuk kanë mburoja mbrojtëse, dhe në disa pjesë të tjera ku ka mburoja të njëjtat janë dëmtuar dhe për pasojë ndodhin aksidente në disa raste me pasojë vdekjen. Rregullimi i mburojave të kësaj rruge ishte kërkesë e banorëve të fshatrave të Merovës dhe Sallarevës të cilët qarkullojnë në këtë rrugë mjaft të rrezikshme, ndërsa gjatë verës u shënua edhe një aksident me viktima. Banorët e këtyre vendbanimeve malorë të komunës së Zhelinës disa herë kishin apeluar që urgjentisht të ndërmerren masa në drejtim të përmirësimit të gjendjes së kësaj rruge me qëllim që në të ardhmen të shmangen aksidentet tragjike.
”Kjo rrugë është e rrezikshme edhe kur ka mirëmbajtje me mburoja anësore kurse pa mburoja është shumë herë më e rrezikshme. Është lënë pas dore, ndonjëherë është asfaltuar por rreziku më i madh nuk është evituar, prandaj edhe ka patur aksidente ku kanë humbur jetën banorë ”, thonë banorët.
Nga Komuna e Zhelinës njoftojnë se rregullimi me mburoja prej metali do të mundësojë që edhe gjatë kohës së dimrit të ketë qarkullim më të lehtë të banorëve të kësaj zone të thellë. Ndërkaq, infrastruktura rrugore vazhdon të mbetet problem kryesor i qytetarëve në shumë zona rurale në rajonin e Pollogut, kurse premtimet e kryetarëve të komunave janë se do të punojnë në përmirësimin e infrastrukturës, premtime këto që dëgjohen gati se çdo fundvit. (koha.mk)