Profesor Turkeshi thotë se realisht, pagat që ndahen në Maqedoni, por edhe në Ballkan, janë tamam për gjysmë muaji. “Si paga mesatare, ajo minimale apo edhe e administratës, janë të mjaftueshme për gjysmë muaji. Harxhimet dhe shpenzimet për jetë modeste, pa luks, po rriten dita-ditës. Mjafton të bëjmë një anketë me 10 qytetarë të rastit, dhe t’i pyesim se sa herë në vit kanë shikuar në film në kinema, apo shfaqe në teatër. Apo edhe sa herë kanë mundur t’i lejojnë vetes të hanë një darkë jashtë shtëpisë, në restorante?”
Qefsere ABDYLI
Shkup, 12 nëntor – Gjatë 10 vjetëve të fundit, pagat për punonjësit si në sektorin publik ashtu edhe atë privat në Maqedoni, kanë pësuar ndryshime të ndjeshme. Në sektorin publik, pagat në të shumtën e rasteve janë rritur pas përfundimit të fushatave zgjedhore, kur qeveritë e reja kanë përmbushur një pjesët të zotimeve që kishin premtuar, përderisa sektori privat mbetet ende prapa atij publik për kah niveli i pagave, shkruan gazeta KOHA.
Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në vitin 2007 paga neto mesatare në sektorin publik ka qenë 224 euro, për të arritur në 392 euro në vitin 2012. Këtu, përfshihen edhe ndërmarrjet publike. Kurse në vitin 2013, paga neto në këtë sektor ka qenë 424 euro dhe tri vite më vonë, më 2016, ka arritur në 526 euro. Së fundmi, vitin e kaluar, paga mesatare ka qenë 10 euro më shumë, përkatësisht 536 euro. Në anën tjetër në sektorin privat, në vitin 2012 paga neto ishte 352 euro. Që nga atëherë, kjo pagë është rritur për 25 euro, ose 379 euro në muaj. Këto shifra janë aktuale edhe sot. Në sektorin privat llogaritet se punojnë rreth 286 mijë qytetarë.
Paga minimale në Maqedoni ka disa vite që mbetet e “ngrirë” në rreth 250 euro. Qytetarët dhe ekspertët e çështjeve ekonomike konsiderojnë se paga që marrin punëtorët në Kosovë nuk mjafton për të siguruar gjërat themelore për një standard jetësor. Sipas tyre, harxhimet e jetës viteve të fundit, vazhdimisht kanë shënuar rritje. “Në të shumtën e rasteve, edhe ata që punojnë në biznese private, nuk marrin më shumë se 250-300 euro në muaj. Kjo vlerë është shumë e ulët për një familje katër apo pesë anëtarshe, pasi shuma nuk mjafton për të siguruar madje edhe gjërat ushqimore”, shprehet Turkeshi.
Në ndërkohë, shporta e harxhimeve mujore për një familje katër anëtarëshe, sipas të dhënave jozyrtare, pasi ESHS nuk publikon këtë element, llogaritet të kalojë shumën prej 430 euro. Njohësi i ekonomisë së vendit, njëherësh profesor universitar, Neritan Turkeshi thotë se ka shpërputhje të mëdha në mes nivelit të pagave të qytetarëve dhe çmimeve të produkteve që shiten në tregun vendor, e të cilat në shumicën e rasteve përcaktohen nga standardi i vendeve të Bashkimit Evropian.
“Nëse i shohim çmimet dhe pagat, atëherë standardi jetësor i qytetarëve është shumë i ulëta për mos të thënë se pjesa dërmuese është e varfër. Për arsye se mbi 45 për qind e mallrave në Maqedoni importohen nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilët kanë një standard më të lartë dhe niveli i çmimeve është i përcaktuar në bazë të pagave që ata i marrin në vendet e Evropës Perëndimore”, thotë për KOHA, Turkeshi.
Njëjtë sikurse në administratën publike, edhe në sektorin privat punonjësit nuk mund ti dalin me “kokë” harxhimeve mujore, shprehet Turkeshi. “Edhe në administratën publike, paga që merr një nëpunës sillet dikur 400 euro në muaj, mjete këto që nuk sigurojnë mirëqenie të duhur për katër anëtarët e familjes”. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Bruto Produkti Vendor për vitin 2017 ishte mbi 6.9 miliardë euro, kurse Bruto Produkti Vendor për kokë banori ka qenë mbi 3700 euro, përderisa rritja reale ekonomike ka qenë 3.2 për qind.
Profesor Turkeshi thotë se realisht, pagat që ndahen në Maqedoni, por edhe në Ballkan, janë tamam për gjysmë muaji. “Si paga mesatare, ajo minimale apo edhe e administratës, janë të mjaftueshme për gjysmë muaji. Harxhimet dhe shpenzimet për jetë modeste, pa luks, po rriten dita-ditës. Mjafton të bëjmë një anketë me 10 qytetarë të rastit, dhe t’i pyesim se sa herë në vit kanë shikuar në film në kinema, apo shfaqe në teatër. Apo edhe sa herë kanë mundur t’i lejojnë vetes të hanë një darkë jashtë shtëpisë, në restorante?”, thotë Turkeshi. (koha.mk)