Britania e madhe bëhet vendi i parë që aprovon një vaksinë kundër Covid-19, e cila është krijuar për të mbrojtur si nga varianti origjinal ashtu edhe ai Omicron i virusit.
Autoriteti Rregullator i Barnave dhe Shëndetësisë në vend, MHRA, i dha dritën jeshile të ashtuquajturës, vaksina bivalente e krijuar nga kompania amerikane Moderna, si dozë përforcuese për të rriturit.
Vendimi i agjencisë u bazua tek të dhënat e testeve klinike që treguan se vaksina ishte e sigurt dhe gjeneronte një përgjigje të fortë imunitare si kundër nënvariantit BA.1 të Omicron, ashtu edhe atij origjinal që u përhap në vitin 2020.
Sipas eksperimentit të kryer tek 437 persona, versioni i ri i vaksinës së Modernës ofronte mbrojtje edhe ndaj varianteve të Omicron që dominojnë aktualisht në botë BA.4 dhe BA.5.
Vaksina e përshtatur duhet të jetë e disponueshme për përdorim si dozë përforcuese nga vjeshta. Moderna ka thënë se mund të nisë me furnizimin e dozave javët e ardhshme dhe personat mbi 50 vjeç dhe ata që bëjnë pjesë në grupet e rrezikuar mund të jenë të parët që do të përfitojnë.
Por edhe pse vaksina ofron mbrojtje më të mirë kundër varianteve të njohura, ende nuk dihet se sa e efektshme mund të jetë ajo ndaj varianteve që mund të shfaqen gjatë muajve në vazhdim.
Përveç Modernës, edhe kompania tjetër amerikane Pfizer po zhvillon vaksina që do të shënjestrojnë Omicron.