Bruksel, 22 prill – Që nga fillimi i pandemisë, epidemiologët që janë anëtarë të shtabit të krizës për Kovid-19 janë përballur me kërcënime të rregullta për jetën e tyre, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Epidemiologu Mark Van Ranst dëshmoi mbrëmë përpara komisionit të posaçëm të Parlamentit belg dhe paralajmëroi se presioni po bëhet i padurueshëm për të dhe kolegët e tij.
“Unë jam nën mbrojtjen e policisë, nuk ka shumë vende ku ekspertët kanë mbrojtje policore, kjo nuk është normale”, deklaroi epidemiologu Van Ranst.
Ai i akuzoi qarqet që përhapin propagandë anti-vaksinë dhe teori të konspiracionit, të organizuara në shoqata. Ai theksoi se këta njerëz e kanë krahasuar atë me mjekun nazist Mengele dhe paralajmëroi se bëhet fjalë për grupe të rrezikshme të radikalizuara.
Epidemiologu tha se ai gjithashtu merr telefonata anonime kur është në detyrë me kërcënime për zgjedhjet e ardhshme dhe parulla në mbështetje të partive të ekstremit të djathtë. Ai akuzoi deputetët e ekstremit të djathtë për mbjellje të urrejtjes dhe shtoi se nëse situata vazhdon kështu, Belgjika do të mbetet pa epidemiologë në shtabin e krizës.