MBROJTJA NGA ZHURMA. Masa më rigoroze kundër ndotjes akustike

121

Në shumë qytete të Maqedonisë – zhurma është disa herë më e lartë nga niveli i lejuar. Qytetarët e Shkupit shpesh ankohen për muzikë, zhurmë nga automjetet… Ndërkaq studimet tregojnë se përveç trafikut dhe industrisë, ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë, siç janë rritja e popullsisë, lagjet e dendura dhe më shumë

Remzije BILALLI

Shkup, 14 janar – Në zonat urbane në të gjithë botën, zhurma është pjesë e pashmangshme e përditshmërisë së qytetarëve. Diku është më e madhe, diku më e vogël, por sido që të jetë është zhurmë dhe ndikon në cilësinë e tyre të jetës. Ekspozimi afatgjatë ndaj zhurmës mbi nivelin e lejuar mund të ketë pasoja serioze dhe afatgjata për shëndetin e njeriut. Sipas Organizatës Botërore Shëndetësore (OBSh), ekzistojnë disa burime, por vetëm disa janë serioze, siç janë trafiku dhe industria. Por hulumtimet e fundit tregojnë se ka edhe faktor tjerë të cilët ndikojnë në gjenerimin e zhurmës në zonat urbane.

Në vendin tonë, posaçërisht në disa zona të kryeqytetit kemi zhurmë mbi nivelin e lejuar. Rritja e numrit të banorëve, lagjeve me popullsi të dendur, muzika me zë të lartë nga disko dhe kafenetë, madje edhe vetë familjet, janë disa nga shkaqet e zhurmës së qytetit. Në bazë të Ligjit Komunat kanë të drejtë të dënojë nëse zhurma tejkalon 45 decibelët e lejuar dhe konsiderohet e dëmshme. Në varësi të kategorive, masa e gjobës shkon deri në 500 euro. Sipas OBSh-së, zhurma është një lloj ndotjeje, e cila quhet ndotje akustike, e cila ka efekte negative në veprimtarinë dhe jetën e njerëzve ose kafshëve. Sipas ekspertëve mjekësorë, zhurma jo vetëm që zvogëlon dëgjimin, por edhe zvogëlon përqendrimin në punë dhe shqetësime në gjumë.

KOMUNAT TË PAFUQISHME TA PARANDALOJNË ZHURMËN

Komuna e Çairit për gazetën KOHA theksoi se deri më tani Inspektorati komunal ka pranuar më shumë ankesa për zhurmën që në komunikacion gjatë orëve të vona të mbrëmjes e shkaktojnë motoçikletat dhe këto raste janë zgjidhur përmes bashkëpunimit me Sektorin për Punë të Brendshme në Shkup. “Sa i përket zhurmës që shkaktojnë lokalet, kemi pranuar më pak denoncime, kryesisht në zonën e Çarshisë së Vjetër. Edhe përkundër të kompetencave të veprimit që janë më shumë të centralizuara, ne si komunë jemi në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me institucionet në fjalë për të qenë në shërbim sa më efikas të qytetarëve tanë” thonë nga Komuna e Çairit.

Nga Qyteti i Shkupit për gazetën KOHA theksuan se bëhet fjalë për një çështje komplekse me përgjegjësi të shpërndara të kompetencave. “Komunat kanë përgjegjësi për disa lloj ë të zhurmave të cilat shkaktohet nga ndërmarrjet e vogla, hotelierit, kafenetë…Pikërisht zhurma më e madhe shkaktohet nga objektet hotelerie dhe kafenetë”, theksuan nga Komuna e Shkupit. Nga ana tjetër, në Komunën e Aerodromit deri tani ka pasur pesë ankesa nga objektet hotelerie dhe Komuna e Kisella Vodës vetëm një. Në Komunën e Karposhit më shumë kanë raportuar gjatë sezonit të verës sesa në dimër. Studimet e viti 2018 nga “Research Gate” mbi ndotjen e zhurmës dhe planifikimin urban tregojnë se faktor i rëndësishëm është edhe planifikimi urban.

“Për këtë arsye e nevojshme është marrëdhënie e mirë midis planifikimit urban dhe faktorëve të ndryshëm, siç janë dendësia e qytetit, morfologjia urbane, përdorimi i tokës urbane, shpërndarja e rrugëve, mjedisi i rrugës dhe zonat e gjelbra – thuhet në studim. Rritja e popullsisë nënkupton gjithashtu rritjen e zhurmës, sepse më shumë njerëz do të thotë më shumë punë, më shumë makina dhe më shumë zhurmë. Në raport gjithashtu theksohen edhe familjet. Ata janë burimi i shumë zhurmave në ambiente të mbyllura siç janë përplasja e dyerve, zhurma nga lojërat e fëmijëve, të qarat, pastrimi, televizioni…të cilat shkaktojnë zhurmë akustike. Edhe pse zhurma nuk është vdekjeprurëse për jetën e njeriut, rëndësia e tij nuk mund të lihet pas dore, pasi ekspozimi i vazhdueshëm i zhurmës zvogëlon orët e gjumit, produktivitetin dhe efikasitetin e njeriut. Zhurma akustike tashmë njihet si problem mjedisor pasi efektet po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

RREGULLAT BOTËRORE PËR ZHURMËN

Udhëzimet e OBSH për zhurmën në vendet e banuara rekomandojnë më pak se 30 decibel për dhomat e gjumit gjatë natës për të siguruar gjumë më cilësor, më pak se 35 decibel në klasa për të siguruar kushte të mira mësimi. Ndërsa, për zhurmën gjatë natës jashtë dhomave të gjumit, më saktë për zhurmë individuale është 45 decibel për të parandaluar efektet negative të shëndetit. Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, zhurma mbi 85 decibel për një periudhë të gjatë kohore mund të dëmtojë gradualisht dëgjimin tuaj. Ndërsa zhurma mbi 120 decibel mund të shkaktojë dëmtim të menjëhershëm të dëgjimit. Në vendin tonë, sipas Ligjit për mbrojtje nga zhurma mjedisore, vlerat kufitare për zhurmën e lejuar në një zonë banimi janë 35 decibel. Vlera kufitare për nivelin e zhurmës të shkaktuar gjatë ngjarjeve publike, tubimeve publike ose ngjarjeve të tjera publike, të ndjekura nga përdorimi i tingullit dhe pajisjeve të tjera që çojnë në rritje të zhurmës, nuk duhet të kalojë 85 decibel dhe niveli maksimal i zhurmës nuk duhet të kalojë 110 decibel, pavarësisht nga kohëzgjatja e ngjarjes. Po ashtu, vlerat e kufirit të tingullit përcaktohen sipas shkallës së zonës në të cilën matet zhurma. Për shembull, në zonë e shkallës së dytë lejohet nga 45 në 55 decibel, në varësi të kohës së ditës dhe për zonat e shkallës së tretë nga 55 deri në 60 decibel. (koha.mk)

Comments are closed.