Përvojat evropiane tregojnë se parandalimi ndaj problemeve të sigurisë dhe të shëndetit në punë, paraqet çelësin e suksesit për një ambient të shëndoshë pune. Një model të tillë përpiqen ta ndjekin edhe Maqedonia dhe shtetet e rajonit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 maj – Maqedonia ka shënuar përparim në mbrojtjen e punëtorëve lidhur me lëndimet në vendin e punës sa i takon legjislacionit, kontrolleve në terren etj. Megjithatë, lëndimet e përditshme në vendin e punës, por edhe rastet që përfundojnë fatalisht, tregojnë se akoma mbetet shumë punë për ulur në minimum rrezikun nga lëndimet e punëtorëve në vendin e punës, shkruan gazeta KOHA. Këtë e mbështesin edhe analizat e Institutit për Shëndet Publik të Maqedonisë që tregojnë se në vitin 2017 janë shënuar 1111 lëndime në vendin e punës, e që paraqet rritje prej 20 për qind në raport me vitin paraprak. Apo me fjalë të tjera – në vitin 2016 janë regjistruar 894 lëndime në punë, që në vitin 2017 janë rritur në 1111 lëndime në vendin e punës.
Të dhënat nga terreni i organizatave joqeveritare që merren me sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve, tregojnë se bizneset të ballafaquara me ekzistencën e tyre në treg, pagesën e pagave dhe detyrimeve ndaj shtetit, shpesh kursejnë në ambientin e punës të punëtorëve.
“Analizat tona tregojnë se kompanitë, të ballafaquara me të ardhmen e paqartë, i shtrëngojnë buxhetet dhe eliminojnë harxhimet për të cilat vlerësojnë se mund të presin ditë më të mira. Shkurtimet e para, sipas informacioneve që vijnë deri tek ne, janë buxhetet për mbrojtje personale, si dhe përmirësimin e kushteve të punës. Andaj edhe sivjet kemi një rritje të butë të fatkeqësive fatale gjatë punë , prej 2.62 në 100 mijë punëtorë në vitin 2016 në 3.22 në vitin 2017”, thotë Milan Petkovski, kryetar i Shoqatës për Mbrojtje në Punë.
Megjithatë, shton Petkovski, shikohet dritë në fund të tuneli në aspektin e rritjes së vetëdijes së të punësuarve dhe punëdhënësve që se vjen e më shumë flasin për mbrojtjen në punë. Ato, krahas plotësimit të obligimeve minimale ligjore, përpiqen të mendojnë edhe të veprojnë në mënyrë parandaluese dhe të ulin rreziqet në vendin e punës, duke penguar kështu fatkeqësitë që mund të ndodhin.
PA PUNËTORË PRODUKTIV, NUK MUND TË KEMI AS RRITJE EKONOMIKE
Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se parakusht për punë të suksesshme dhe produktivitet më të madh të punëtorit paraqet ruajtja dhe avancimi i shëndetit të punëtorëve, si çështje për të cilën kjo qeveri është e angazhuar tërësisht.
“Të gjithë ne së bashku e krijojmë atë mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për punë me qëllim që të kemi punëtorë më produktiv. Pa punëtorë produktiv, nuk mund të kemi as rritje ekonomike dhe as zhvillimit të shtetit”, thotë ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Milla Carovska.
Në këtë drejtim, ky dikaster para një muaji organizoi aksionin që ju mundësoi personave të papunë kontrolle falas në Institutin e Mjekësisë së Punës, me qëllim që të fitojnë vërtetime për gjendjen e tyre shëndetësore që mund ta përdorin për të aplikuar në vendin e punës.
Njëherazi, Inspektorati Shtetëror i Punës në vitin 2017 në fushën e sigurisë dhe shëndetit të punës ka realizuar 7046 mbikëqyrje të rregullta dhe 3552 mbikëqyrje të jashtëzakonshme. Numri i rasteve fatale tregojnë analizat e Ministrisë në vendin e punës në vitin 2017 ka qenë 14, në vitin 2016 ka qenë 15, ndërsa në vitin 2015 ka qenë 24. Në mesatare, në periudhën 2010 deri në vitin 2017, janë shënuar 15 raste fatale në vendin e punës në Maqedoni.
Në ndërkohë, përvojat evropiane tregojnë se parandalimi ndaj problemeve të sigurisë dhe të shëndetit në punë, paraqet çelësin e suksesit për një ambient të shëndoshë pune. Një model të tillë përpiqen ta ndjekin edhe Maqedonia dhe shtetet e rajonit. Në praktikë, kjo do të thotë që të analizohen proceset e punës për të identifikuar rreziqet afatgjata dhe afatshkurtra, dhe më pas të veprohet për ti shmangur ose për ti zbutur ato sa më shumë të jetë e mundur, thonë profesionistët e kësaj fushe.
Problem tjetër që vështirëson mbrojtjen më të mirë të punëtorëve në vendin e punës paraqet edhe mungesa e të dhënave të sakta për lëndimet në vendin e punës dhe mospasja e një metodologjie të vetme për këtë qëllim. Për shembull, analizat e Shoqatës për Mbrojtje në Punë, bazohen kryesisht në të raportimet e mediave të ndryshme. Nga ana tjetër, institucionet e tjera përdorin metodologji të tjera të grumbullimit të të dhënave. Profesionistët e mbrojtjes së punës thonë se mjedisi në punë dhe teknologjia prodhuese duhet të projektohen në mënyrë që rreziqet për shëndetin të evidentohen ose minimizohen në minimum. Gjithashtu , punëtorët duhet të njohin rreziqet në vendin e punës, të trajtohen, edukohen, ndërgjegjësohen që të sillen në mënyrë të sigurt e të përdorin pajisjet mbrojtëse personale në punë.
HUMBJET NGA LËNDIMET NË PUNË KUSHTOJNË MILIARDA EURO
Për çdo vit në Bashkimin Evropian humben 14 milion ditë pune dhe mbi 20 miliardë euro në vit si rrjedhojë e lëndimeve në punë. Problemi sidomos është i theksuar tek kompanitë e vogla dhe të mesme që punësojnë më pak se 50 punëtorë.
Në rast se në mungesës së të dhënave të kompletuara , nëse përpiqemi të bëjmë krahasim me gjendjen në BE, në raport me gjendjen në Maqedoni, mund të konstatojmë se në nivel kombëtar tek ne regjistrohen mbi 20 mijë lëndime në punë.
Nëse i shfrytëzojmë vlerësimet evropiane, mund të konstatojmë se tek ne, për shkak të lëndimeve në punë dhe sëmundjeve profesionale do të mungojnë nga puna 18 mijë punëtorë për më shumë se 30 ditë, tregojnë analizat e Institutit për Shëndet publik të Maqedonisë. (koha.mk)