Variantet e fundit të COVID-19 po rrisin shifrat në SHBA, ndërsa studiuesit po shikojnë për forma të reja mbrojtjeje. BA.4 dhe BA.5 po përhapen më lehtë dhe i shmangen imunitetit të mëparshëm të fituar, shkroi CBCNews. Numri i hospitalizimeve dhe vdekjeve po ngrihet, por jo në shkallën që është parë më herët. Zyrtarët shëndetësorë thanë se kjo ka ndodhur për shkak të vaksinave anti-COVID. Epoka e ardhshme e mbrojtjes mund të vijë në formën e një pilule ose spreji. Mjekja Megan Ranney, dekane e Universitetit të Bostonit, ka thënë se këto dy forma janë ende në një fazë shumë të hershme provuese.
Të dyja duhet të kalojnë nëpër testime të shkallës më të gjerë para se të provohet të merret autorizimi nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave.
Disa studiues kanë thënë se dhënia e vaksinave përmes pilulave ose sprejit në hundë mund të ofrojë më shumë mbrojtje të imunitetit dhe ta bëjë virusin më pak të aftë që të riparaqitet. Kjo mund të ngadalësojë zhvillimin e varianteve të reja të koronavirusit dhe ta fusë pandeminë nën kontroll. Ranney ka thënë se është rrugë e gjatë për të arritur te këto. “Në skenarin më të mirë, muaj, por nëse nuk bëhet në muaj, mund të marrë shumë më shumë kohë se kaq”, tha ajo. Tash për tash, ekspertët e shëndetësisë vazhdojnë të bëjnë thirrje për vaksinim.