[adning id="476476"]

Mbrojtja e Thaçit: Dy shtete ofrojnë garanci për lirimin e ish-presidentit të Kosovës nga paraburgimi

95

Prishtinë, 23 korrik  – Avokati i ish-presidentit të Kosovës  Hashim Thaçi, Gregori Keoh përmes një parashtrese drejtuar gjykatësit paraprak, ka bërë të ditur se dy shtete të treta kanë garantuar për lirimin e përkohshëm të tij në territoret e tyre, duke kërkuar lirimin e tij në një nga këto shtete.

Sipas kësaj shkrese, transmeton Telegrafi, më 5 maj 2021, mbrojtja mori garancinë me shkrim të Qeverisë për lirimin e përkohshëm të Thaçit në territorin e saj, ndërsa thuhet se garanci tjetër me shkrim nga një Qeveri që nuk emërtohet u mor më 14 qershor 2021.

“Të dy shtetet e treta garantojnë që të bashkëpunojnë plotësisht për të siguruar kthimin e Thaçit, ashtu si dhe kur kërkohet nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në këtë parashtesë.

Sipas mbrojtjes së Thaçit, ofertat nga shtetet e treta, të mbështetura nga garancitë me shkrim, zhvendosin ekuilibrin në favor të lirimit të përkohshëm dhe këto garanci janë të mjaftueshme për të adresuar rrezikun e arratisjes dhe pengesave.

Tutje, thuhet se edhe nëse gjykatësi i procedurës paraprake konsideron që Thaçi vazhdon të gëzojë çdo masë të “ndikimit dhe autoritetit”, kjo eliminohet tërësisht nga garancitë e shteteve të treta, të cilat eliminojnë çdo rrezik real të pengesave ose ikjes.

Mbrojtja i ka kërkuar gjykatësit të procedurës paraprake që të kërkojë pikëpamjet e qeverive mbi lirimin e Thaçit në territoret e tyre përkatëse dhe të urdhërojë lirimin e përkohshëm të Thaçit në një nga këto shtete të treta me kushte të tilla që konsiderohen të përshtatshme.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.