Në Gjykatën Penale në Shkup sot po zhvillohet seanca për rastin “Trust” në të cilin si i dyshuar i parë është biznesmeni Seat Koçan si edhe dy persona të tjerë fizik dhe tre juridik, në mesin e të cilëve drejtuesit e kompanive “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” SHPKNJP nga Studeniçani për pjesëmarrje në një tender të Centraleve të Maqedonisë.
Në gjykim prezent është edhe i akuzuari i parë Koçan. Avokatët e tij edhe sot u ankuan se nuk u janë dhënë të gjitha dëshmitë për shqyrtim, për të cilën arsye u anulua edhe seanca paraprake më 7 nëntor. Mbrojtja kërkon nga gjykata ta urdhërojë Prokurorinë Speciale Publike t’i japë të gjitha dëshmitë të cilat janë theksuar në aktakuzë dhe t’u jepet kohë e mjaftueshme t’i shqyrtojnë.
Nga PSP, nga ana tjetër, pohojnë se në Gjykatë i kanë dorëzuar dëshmitë në numër të mjaftueshëm të kopjeve dhe se sipas procedurës Gjykata është e obliguar t’ia dorëzojë mbrojtjes listat me dëshmi krahas aktakuzave. Sipas aktakuzës, të dyshuarit me dokumente të falsifikuara kanë kurdisur tenderë në ELEM në vlerë prej 17-të milionë eurosh. Lënda siç publikoi PSP-ja, është formuar në bazë të tri bisedave të përgjuara, prej të cilave dy të papublikuara në opinion prej 3.8.2011 dhe 6.10.2011.