Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 nëntor – Maqedonia nuk mbron mjaftueshëm ambientit e saj të mjedisit. Bile te ne më shumë grumbullohen tatime të dedikuara për mjedisin jetësor, se sa që investohet në mbrojtjen e saj. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës së Maqedonisë, në vitin 2015, në shtet janë paguar tatime të lidhura me mjedisin jetësor në vlerë prej 105.274.000.000 denarë, apo 161 milionë euro, ndërsa një vit më vonë, për harxhimet e mbrojtjes së mjedisit, është harxhuar një shumë modeste prej 9.778.945.000 denarë, shkruan gazeta KOHA. Kjo na tregon se vetëm dhjetë për qind e mjeteve të grumbulluara nga tatimet e ambienti jetësor, orientohen për investimet në mbrojtjen e tij. Nga ana tjetër, aktivistët ekologjik kërkojnë që në Maqedoni të ndahen së paku një për qind nga Prodhimi i Brendshëm Bruto si mbrojtje nga ndotja e ajrit. Shoqata e eko-aktivistëve “Shkupi Alarmi nga Smogu”, kërkon nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë që në buxhetin e vitin 2018 të ndahen më shumë mjete si Fond i veçantë për mbrojtjen e ambientit jetësor në Maqedoni. “Rikujtojmë se sipas Bankës Botërorë (2015), si pasojë e ndotjes së ajrit, ekonomia vendore përjeton humbje vjetore prej 253 milionë euro apo 3.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që nënkupton se rritja reale e ekonomisë në vitet e kaluara është zero për qind. Andaj, një trend i tillë duhet të ndalet”, thonë nga kjo shoqatë ekologjike. Ata theksojnë edhe të dhënat e EUROSTAT apo Zyrës evropiane të statistikave, sipas të cilave, Sllovenia në vitin 2015 ka ndarë 389 milionë euro, ndërsa Bullgaria 358 milionë euro nga buxheti për mbrojtjen e ambientit jetësor. Maqedonia në vitet e kaluara, tregojnë raportet e Komisionit Evropian, jo vetëm që nuk ka rritur, por ka zvogëluar nga viti në vit investimet në mjedisin jetësor përkundër nevojave të mëdha për investime në parandalimin dhe kujdesin për mjedisin jetësor. Nevojën për investimet më të mëdha në të holla në mbrojtjen e shëndetit nga pasojat e ndotjes së ajrit, tokës e kështu me radhë, e tregojnë edhe analizat e Institutit për Shëndet Publik të Maqedonisë, sipas të cilave në nivel vjetor në Maqedoni, 1.200 njerëz vdesin për shkak të ndotjes së ajrit, ndërsa vdekshmëria për shkak të ndotjes së ajrit shënon rritje gjatë 10 viteve të fundit.
Organizatat e tjera joqeveritare kërkojnë që Ministria e Ekologjisë të disponojë me të gjitha mjetet që në Maqedoni paguhen si kompensime dhe tatime lidhur me mbrojtjen e mjedisit, me qëllim që të kemi mbrojtje më efektive dhe uljen e pasojave nga ndotja jo vetëm e ajrit, por edhe e truallit bujqësor, ujit e kështu me radhë.
Sipas Aleksandra Bujarovska, nga Shoqata ekologjike joqeveritare Front 21/42, një nga sfidat në të ardhmen për ekzekutivin e ri është formimi i një Fondi për mjedisin jetësor ku do të derdhen të gjitha të hollat që paguhen në emër të kompensimeve dhe tatimeve për mbrojtjen e mjedisit.
“Aktualisht në Ministrinë e Mbrojtjes së Mjedisit dhe Planifikimit Jetësor derdhen në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm mjetet për regjistrimin e veturave që janë të vogla, të cilat më vonë ju ndahen komunave, OJQ-ve e kështu me radhë, ndërsa të hollat e tjera që paguhen në emër të tatimeve për mjedisin derdhen në buxhetin e shtetit. Një qasje e tillë është e kundërt me parimin se ndotësi dhe shfrytëzuesi paguan, që parashikon dhe kërkon që të hollat nga tatimet për mjedisin të investohen në parandalimin dhe kujdesin e ambientit. Pra, nevojitet që në të ardhmen të formohet një Fond për mbrojtjen e mjedisit që do të menaxhohet nga Ministria e Ekologjisë ku do të derdhen të gjitha të hollat për kompensimet ekologjike që do të shpërndahen në bazë të prioriteteve të ndryshme në tërë Maqedoninë”, thekson për KOHA, Bujarovska.
Ndryshe, mungesa e të dhënave të sigurta dhe gjithëpërfshirëse për substancat ndotëse dhe ndotësit, kapacitetet e dobëta për implementimin e ligjeve të ambientit jetësor në nivel qendror dhe lokal, bartja e kompetencave për mbrojtjen e mjedisit tek komunat dhe mungesa e mjeteve financiare për realizimin e këtyre obligimeve, janë disa nga problemet kryesore të mbrojtjes së ambientit në Maqedoni. Sipas publikimit të fundit të Entit të Statistikës së Maqedonisë “Ambienti jetësor 2015”, të cilën ky institucion e ka përgatitur në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, problemet e kësaj natyre në Maqedoni janë të ngjashme me ato të shteteve të rajonit. (koha.mk)