Fillimi shumë i mirë i kampionatit të Interit mban firmën e trajnerit Luçiano SpaletiT, i aftë t’i japë menjëherë një ekuilibër të madh mbrojtjes zikaltër. Është pikërisht mbrojtja arma më shumë te kjo skuadër, që ka pësuar vetëm tre gola në shtatë ndeshjet e para të Serie A.
Interi që renditet i treti pas Juves, aktualisht ka mbrojtjen më të mirë në Serie A: zikaltrit janë të tretët edhe për sa i takon gjuajtjeve në kuadrat të kundërshtarëve (19, me një mesatare 2.7) duke u pozicionuar pas Juventusit (15) dhe Napolit (12). Në zonën e kontrolluar nga Shkriniar dhe Miranda gjuhet mesatarisht pak më shumë se 5 herë për ndeshje, shkruan “La Gazzetta dello Sport”, edhe në këtë statistikë djemtë e Spaletit janë vetëm pas Juves dhe Napolit. Dy qendrorëve ju shkon merita për faktin se kanë gjetur mirëkuptimin e duhur në pak javë, dhe është pikërisht manovra e mbrojtjes së skuadrës ajo që bind: 3 gola të pësuar pas shtatë javësh kampionat janë një statistikë që nuk shihej që nga sezoni 2010-2011.
Duhet thënë gjithashtu se edhe fati ka luajtur një rol të rëndësishëm në gjashtë shtyllat e goditura nga kundërshtarët (tre nga Roma, dy nga Benevento dhe një nga Fiorentina). Nga ana tjetër nuk mund të mohohet puna e Spaletit me skuadrën në fazën kur Interi nuk e zotëron topin. Këto numra e bëjnë të shpresojë Interin. Kur zikaltrit kanë regjistruar një kompaktësi të tillë në mbrojtje e kanë mbyllur kampionatin gjithmonë mes katër vendeve të para, me përjashtim të një here të vetme. Ndërkohë pas pauzës së impenjimit të kombëtareve rivalët e radhës të Interit janë Milani dhe një Napoli “vrasës”, dy kundërshtarë të nivelit që do ta vendosin mbrojtjen zikaltër sërish në provë.