Në vend të presidentit, kryeministrit apo ministrit të Mbrojtjes, Marrëveshjen teknike për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Maqedonisë nga Greqia e ka nënshkruar shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së, Vasko Gjurçinovski. Kjo mund të shkaktojë problem pasi sipas rregullave të NATO-s, marrëveshjet e tilla i nënshkruan përfaqësues civil i shteteve dhe jo ushtarak. Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes thonë se gjithçka lidhur me këtë çështje është në rregull
Destan JONUZI
Shkup, 26 tetor – Marrëveshjen teknike për mbrojtjen e vijës ajrore mes Greqisë dhe Maqedonisë, në vend të presidentit, kryeministrit apo ministrit të mbrojtjes, me vendim të Qeverisë e ka nënshkruar shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, Vasko Gjurçinovski. Por, ekspertët sinjalizojnë se marrëveshjet e tilla nënshkruhen nga përfaqësues civil të një shteti e jo nga ushtarak. Ndërkohë gazeta KOHA mëson se në këtë formë si është nënshkruar marrëveshja, nuk pranohet të arkivohet nga shërbimi juridik i NATO-s dhe e njëjta pritet të rikthehet për tu nënshkruar nga përfaqësues civil të dyja vendeve.
Nga Qeveria për KOHA thonë se në pajtueshmëri me rekomandimet e NATO-s është vepruar mbi sigurinë e hapësirës ajrore, duke nënshkruar marrëveshje teknike me vend-anëtar të NATO-s. Ndërsa nga Ministria e Mbrojtjes thonë se marrëveshja për mbrojtjen e vijës ajrore midis Republikës së Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut është nënshkruar në përputhje me procedurat e përcaktuara për nënshkrimin e këtij lloji të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Përfaqësuesit e NATO-s kanë qenë të njoftuar me procesin i cili ka sjell deri te nënshkrimi i marrëveshjes teknike, ndërsa pas nënshkrimit të të njëjtit, ajo është dërguar në selinë e NATO-s. Nënshkrues të marrëveshjes teknik janë shefat e Shtabeve të Përgjithshme të Armatës të të dyja vendeve. Për nënshkrimin e saj ka vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me konkluzionet e miratuara në seancën e 155 të mbajtur më 24 shtator të këtij viti, Qeveria e ka autorizuar shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, Vasko Gjyrçinovski, që në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, ta nënshkruaj marrëveshjen teknike. Nuk është e pazakontë që përfaqësues ushtarak të nënshkruaj marrëveshje të tilla”, thonë për KOHA nga Ministria e Mbrojtjes. Nga atje bëjnë të ditur se patrullimi ajror është mision paqësor, i cili përfshinë sistem për mbikëqyrje ajrore (ASACS), komandë dhe kontroll aviacioni (ВК2), si dhe fondet të duhura të mbrojtjes ajrore (PVO), duke përfshirë edhe avionët përgjues me qëllim të ruajtjes së integritetit të hapësirës ajrore kombëtare të vendit.
“Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është shteti i vetëm i cili si vend-anëtar i NATO-s nuk është në gjendje që vet të bëjë patrullim mbi hapësirën ajrore për shkak të mungesës së avionëve luftarakë. Sipas rekomandimeve të NATO-s, hapësira ajrore do të sigurohet përmes marrëveshjes teknike me një anëtar të Aleancës”, theksojnë nga Ministria e Mbrojtjes.
Ish kryeministri i Qeverisë teknike, Emil Dimitriev, deputet aktual dhe anëtarë i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e punës së Ministrisë së Mbrojtjes, thotë se logjike do të ishte që një marrëveshje të këtillë ta nënshkruajë Presidenti i shtetit, kryeministri, ose eventualisht ministri i Mbrojtjes. “Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së është pozicioni i katërt me radhë, ndërsa Marrëveshja është strategjike si pjesë e ‘ER police’ dhe e NATO-s. Mendoj se për nënshkrimin e kësaj marrëveshje më i thirrur është që të vë firmën ministri i Mbrojtjes ose kryeministri. Maqedonia si shtet që është afër anëtarësimit në NATO, të gjitha vendimet e saj duhet ti sjell sipas normave dhe rregullave të NATO-s”, deklaroi për KOHA, Dimitriev. Ndërkaq, analisti ushtarak, Bllagoja Markovski thotë se meqë Qeveria e ka autorizuar shefin e shtabit të ARM-së të nënshkruaj një marrëveshje të tillë, atëherë gjithçka është në rregull. “Gjithçka që është bërë për nënshkrimin e kësaj marrëveshje mes Maqedonisë dhe Greqisë është bërë në bazë të një marrëveshje paraprake me strukturat e NATO-s dhe qeveritarët grek. Meqë Qeveria e ka autorizuar shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së ta nënshkruaj marrëveshjen teknike, kjo është njëjtë sikur ta kishte nënshkruar ndonjë përfaqësues qeveritar. Ai nuk bënë asgjë kokë në vete, por në bazë të autorizimeve që ia ka deleguar ai që ka të drejtë për të nënshkruar marrëveshje të tilla. Në këtë drejtim, gjithçka është në rregull dhe e ligjshme. Nga ana tjetër, asgjë nuk është bërë pa u konsultuar edhe NATO. Bëhet fjalë për mision të përbashkët të NATO-s, mbrojtje e përbashkët e vijës ajrore e ashtuquajtur ‘mbrojtja e mençur’, dhe në bazë të asaj marrëveshje të përbashkët paraprake, ka ardhur deri te nënshkrimi i Marrëveshjes, që aviacioni grek ta mbrojë edhe qiellin maqedonas”, deklaroi për KOHA, Markovski.
Ndërkohë, më 4 korrik të vitit 2018, Shqipëria dhe Mali i Zi nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi të ndërsjellë në rastet e emergjencave civile dhe patrullimin e hapësirës ajrore, por këtë e bënë ministrat e Mbrojtjes të të dyja vendeve në prezencë të kryeministrave. Ndërsa, me anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, meqenëse Shqipëria nuk disponon radar primar, NATO ia ka deleguar kompetencat e monitorimit të hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë dy vendeve fqinje, përkatësisht Italisë dhe Greqisë, të cilat e kryejnë këtë rol me sistem rotacioni. (koha.mk)