Timothy Fosu-Mensah firmos me Bayer Leverkusenin. Futbollisti i Manchester United u shit tek “Aspirinat” për 1.8 milionë sterlina. Mbrojtësi 23-vjeçar largohet nga “Old Trafford” pasi ka shënuar 30 paraqitje në ekipin e parë për gjashtë sezone e gjysmë (këtë sezon ka luajtur në vetëm tri ndeshje). Gjatë kohës kur ishte pjesë e “Djajve të Kuq”, u huazua te Crystal Palace në 2017-18 dhe te Fulhami sezonin vijues, pasi trajnerët e United nuk u bindën për t’i ofruar një vend të rëndësishëm në skuadër.
Fosu-Mensah tani ka rënë dakord për një kontratë deri në vitin 2024 me klubin e Bundesligës, i cili aktualisht është i treti në tabelë dhe shpreson të sfidojë Bayernin për titullin. 23-vjeçari është i lumtur që po nis një etapë të re në karrierën e tij, me dëshirën e madhe për t’u treguar njerëzve se çfarë është në të vërtetë i aftë të bëjë. Ai kishte refuzuar ofertën e re trevjeçare të paraqitur nga United muajin e kaluar. Lojtari holandez vlerësohet për shkathtësinë e tij dhe është i aftë të luajë në qendër të mbrojtjes, në të djathtë apo si mesfushor shkatërrues.