Finalja që nuk ka luajtur kurrë. Ka qenë ky mendimi i parë i Helio Neto, një nga tre futbollistët e Chapecoense, që i mbijetuan aksidentit ajror, që tronditi të gjithë botën. Pasi është zgjuar nga koma, Neto ka pyetur se pse ndodhej në spital i mbuluar nga plagët dhe se si kishte mbaruar me Atletico Nacional, ndeshja e parë e Kupës së Amerikës së Jugut që duhej të luante në Medelin me shokët e skuadrës. Sigurisht rizgjimi ka qenë i ashpër, me pasojat e tragjedisë akoma të freskëta te Neto dhe në të gjithë botën, atë të futbollit dhe jo vetëm. Ai nuk mban mend asgjë nga ajo që ka ndodhur dhe, për momentin, do të vazhdojë të mos dijë asgjë, siç ka thënë mjeku i klubit. “Psikologu na ka rekomanduar që të mos i themi asgjë për të shmangur një tronditje emocionale, që mund të dëmtojë rehabilitimin e tij, – ka shpjeguar doktori. – 48 orët e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme, por janë regjistruar disa përmirësime”. Ndeshja e fundit – Ajo finale nuk u luajt kurrë, por Chapecoense e mori Kupën, që iu dha në rrugë zyrtare nga “CONMEBOL” (Federata e Amerikës së Jugut). Për këtë arsye ekipi brazilian do të marrë pjesë në Kupën Libertadores, dhe do të përqendrohet te rindërtimi i skuadrës. Kampionati është mbyllur në një atmosferë të çuditshme: në “Arena Conda”, ku sot duhej të luhej ndeshja e javës së fundit mes Chapecoense dhe Atletico Mineiro, nuk janë paraqitur dy skuadrat, ndërsa Federata Braziliane e Futbollit, ka dërguar arbitrat sepse, për arsye protokolli, nuk mund ta pezullonte takimin. Të dy ekipet do të deklarohen të mundura 3-0 në tavolinë, një rezultat që nuk do të ndryshojë asgjë në renditje.