Mbreti saudit, Salman bin Abdulazis Al Saud mbrëmë arriti për vizitë në Rusi, të cilën Moska dhe Riadi e cilësojnë si “historike”. Aeroplani i tij mbrëmë arriti në aeroportin moskovit Vnukovo, ndërsa gjatë ditës së sotme do të ketë takim me presidentin rus, Vlladimir Putin. Para takimit të tyre do të mbahet Forum investues ruso-saudit, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga mbi 200 ndërmarrje ruse dhe saudite.
Nesër, m,breti saudit do tët akohet me kryeministrin rus, Dmitrij Medvedev, me të cilin, sipas paralajmërimeve, do të bisedojë për projekte të përbashkëta investuese. Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Arabisë Saudite ishin të tensionuara në të kaluarën. Gjatë Luftës së Ftohtë, Arabia Saudite u ndihmoi kryengritësve afganë kundër Bashkimit Sovjetik në vendin e tyre. Por kohëve të fundit, marrëdhëniet bilaterale po përmirësohen, edhe pse në luftën në Siri, Rusia e mbështet presidentin sirian, Bashar al Asad, ndërsa Riadi është në anën e kundërshtarëve të tij.
Megjithatë, sipas pritjeve, temë kryesore e vizitës katërditëshe të mbretit saudit do të jetë bashkëpunimi bilateral ekonomik. Para fillimit të negociatave ruso-saudite në nivel më të lartë, kompleksi ushtarak-industrial përgatiti pako marrëveshjesh, të vlefshme tre miliardë dollarë, shkruan “Komersant”, duke iu referuar burimeve nga kompleksi ushtarak rus.
“Për sot nuk është nënshkrimi i marrëveshjes, por nëse në fund të takimit të presidentit dhe mbretit arrihet marrëveshje, do të mund të fillonin negociatat para nënshkrimit të marrëveshjes”, thekson gazeta. Mes tjerash, në marrëveshje ceken edhe dërgesa të disa divizioneve të komplekseve kundërajrore raketore S-400 “Triumf”. Ministri i Energjetikës, Aleksandar Novak kumtoi se Riadi është i interesuar të investojë një miliarëd dollarë në ndërtimin e kompleksit kimik të naftës, në aeroportin Pullkovo dhe në 20 projekte në Rusi.