Është 37 vjeç, por nëse nuk ia di moshën, mund të mendosh fare lehtë se është 10 vite më i ri, duke e parë në fushë. Joaquin është mbreti i Seviljes, në krahun e Betisit, natyrisht. Prej 1994 deri në 2006 me fanellën bardhegjelbër, ndërsa më pas Valencia, Malaga e Fiorentina. Në fund, në vitin 2015, erdhi kthimi në shtëpi, shiriti i kapitenit dhe rekorde të ndryshme.
Rekordi i fundit mund të arrihet brenda pak javësh dhe i përket numrit të ndeshjeve në La Liga. Me 45 minutat kundër Valladolid-it, duke shënuar edhe golin e dytë të fitores 2-0, mesfushori ka kaluar legjendarin Xavi, duke u bërë futbollisti i shtatë me më shumë ndeshje në këmbët e veta në divizionin e parë spanjoll.
Janë 506 ndeshje tashmë, ndërsa goli i shënuar fundjavën e shkuar e përfshin mes 15 lojtarëve më të moshuar që kanë shënuar në kampionatin spanjoll.
Golin e parë e shënonte 17 vjet e 168 ditë më parë, por Joaquin nuk ngopet me kaq, sepse me Betisin e tij kërkon sukses në kampionat, ndërsa personalisht kërkon të kalojë mbretin e ndeshjeve në Spanjë, Iker Casillas.
Portieri i famshëm ka luajtur 510 ndeshje në La Liga, 4 më shumë se lojtari-simbol i Betisit. Nëse luan rregullisht, Joaquin e kalon kolegun që në 31 mars, kur do të ngjitej në vendin e gjashtë gjashtë në histori për numër ndeshjesh në kampionatin spanjoll.