“Mbreti gjumash”, që u shfaq të mërkurën në Teatrin e Kumanovës “Trajko Prokopiev” do të mbahet mend gjatë, jo vetëm për magjinë artistike që i dhuroi spektatorit të vogël, por edhe si pjesa e parë teatrale për fëmijë që ngjitet në këtë skenë. Madje pa mbështetje financiare. Por me shumë entuziazëm dhe mesazhe për të gjithë
Evis HALILI
Shkup, 5 prill – Premiera e shfaqjes “Mbreti gjumash”, me regji të Ibër Dearit, shkruar nga Jeton Neziraj, që u shfaq të mërkurën dhe të enjten në Teatrin e Kumanovës “Trajko Prokopiev” do të mbahet mend gjatë, jo vetëm për magjinë artistike që i dhuroi spektatorit të vogël, por edhe si pjesa e parë teatrale për fëmijë që ngjitet në këtë skenë, shkruan gazeta KOHA. Madje pa mbështetje financiare. Por me shumë entuziazëm dhe mesazhe për të gjithë. Një mbret jeton në një pallat, i rrethuar nga luksi shërbëtorët, por burg për të birin, Trimin, pasi si një bir mbreti nuk i ka hije të bashkohet me ato që nuk janë të sërës së tij.
Nga kjo situatë e shpëton magjistari i pallatit dhe dy vajzat e vogla, Dea dhe Ema, të cilat bindin edhe mbretin se jeta është e bukur edhe jashtë një pallati. Personazhet u interpretuan mjeshtërisht nga aktorët Sefedin Shabani, Mirsad Abazi, Ardian Kadriu, Bjondina Sherifi dhe Arta Xhemaili, të cilët krijuan edhe interaksion me publikun.
“Kjo fabul i edukon fëmijët me botëkuptimin se jeta e mirë është jashtë mureve të një mbreti, pa marrë parasysh sa pasuri ka brenda kështjellave, prapëseprapë ata kanë nevojë të dalin jashtë mureve…, t’i thyejnë paragjykimet. Qëllimi i kësaj shfaqje është që t’i vetëdijësoj edhe Ministrinë e Kulturës edhe Komisionin që kanë aty që në të ardhmen të përkrahin projektet për fëmijë dhe të jenë obligative në Teatër. Dy vitet e fundit konkurrova dhe kërkova një buxhet minimal, mirëpo pasi u refuzova – vendosa që me koleget e mi ta nisim këtë shfaqje në marrëveshje me teatrin e Kumanovës, që vuri në dispozicion skenën dhe na ofroi ato mundësi që i ka. Teksti më ka pëlqyer shumë pasi ka personazhe të ndryshëm dhe shumë magji. Në fillim Jetonit ia kam treguar idenë dhe edhe ai dha kontributin e tij dhe na lejoi që ta realizojmë veprën. Sigurisht ka qenë proces i vështirë për shkak kushteve, por ne arritëm ta realizojmë deri fund. Kjo është shfaqja e parë për fëmijë në këtë teatër. Të shpresojmë të mos jetë shfaqja e parë dhe e fundit, të vazhdohet me shfaqje të tjetra, pasi aq sa fëmijët kanë nevojë për ne, edhe ne kemi nevojë për to”, thotë regjisori Deari.
Ideja për të bërë këtë shfaqje Dearit i ka lindur nga obligimi që artistët e kanë ndaj fëmijëve, por edhe pse sot fëmijët nuk kanë se me çfarë të merren përveç telenovelave dhe lodrave kompjuterike. Pasi siç shprehet edhe vetë sot ka shumë fëmijë që nuk e dinë çfarë është Teatri.
“Mu për këtë qëllim ideja ime ishte që të bëjmë një shfaqje dhe t’i mësojmë fëmijët të vijnë dhe ta shijojnë magjinë e teatrit”, thotë regjisori.
“Mbreti gjumash” u shfaq edhe dy herë të enjten vetëm për nxënësit e shkollave të Kumanovës. Në këtë shfaqje bashkëpunuan edhe Jakup Jakupi (organizator), Oliver Ilievski (muzika), Jovica Nikollovski (skenograf), Elizabeta Nakevska (kostumografe), Zvonimir Micevski (dizajni i ndriçimit). (koha.mk)