Kjo qeveri dhe të tjerat para saj kanë dëshmuar se tërë fokusin e kanë se si t’i rehatojnë mbështetësit e tyre politikë dhe familjarët. Pasi kanë bërë këtë, janë përkujdesur që përveçse të jenë të punësuar, atyre t’u përmirësohet edhe mirëqenia
Të rinjtë nuk besojnë se mund të gjejnë një vend pune pa qenë pjesë e një partie apo pa e korruptuar dikë. Kjo nuk është deklaratë as e ndonjë hulumtuesi të politikave sociale e as e ndonjë qytetari të dëshpëruar, por e vetë kryetarit të Qeverisë së Kosovës. Ramush Haradinaj, ndërsa promovonte Strategjinë dhe planin e veprimit për punësimin e të rinjve, në mesjavë apeloi tek institucionet që të marrin në punë njerëz me cilësi profesionale e jo militantë të partive, shkruan Koha Ditore. E është po Haradinaj që duke shfrytëzuar kontrollin mbi pushtetin, ka legjitimuar jo vetëm drejtues të organeve qeveritare, por edhe borde të institucioneve të pavarura dhe ndërmarrje (“Trepça”, Telekomi…) që në përbërjen e tyre kanë përfaqësues të partive politike.
Kjo qeveri dhe të tjerat para saj kanë dëshmuar se tërë fokusin e kanë se si t’i rehatojnë mbështetësit e tyre politikë dhe familjarët. Pasi kanë bërë këtë, janë përkujdesur që përveçse të jenë të punësuar, atyre t’u përmirësohet edhe mirëqenia. Gati asgjë nuk kanë bërë për gjysmën e popullsisë së aftë për punë e që nuk dallon nga të punësuarit, përveçse nuk kanë pasur fatin që të afërmit e tyre të vishen me pushtet. Statistikat tregojnë se shteti ka dështuar në krijimin e politikave për zvogëlimin e papunësisë që për këta 10 vjetët e fundit qëndron e pandryshuar dhe në nivele alarmante, mbi 30 për qind sipas të dhënave zyrtare e mbi 50 për qind sipas ekspertëve.
MBIJETESA TE FQINJËT
Autobusi i linjës së rregullt Prishtinë-Ulqin niset në orën 9 të mbrëmjes. Për të qenë i sigurt, Ramiz Gashi kishte dalë në 8:30 në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë. Biletën e kishte prerë më herët, e për t’i mbytur minutat deri në nisje, teksa qëndronte para autobusit, ndezi një cigare. Rrugën drejt Ulqinit ai e bën çdo muaj, shkruan “Koha Ditore”. Mungesa e një pune të rregullt në vendin e tij e ka shtyrë të mendojë alternativa të tjera. Dy vjet më parë, një i afërt i tij që kishte një kompani ndërtimi në qytetin malazias i kishte propozuar punë.
Fasadimi i një shtëpie ishte detyra që duhej të bënte. E paga prej 400 eurosh për Ramizin ishte goxha e leverdishme. Gjatë asaj kohe ai punonte në një kompani ndërtimi në Kosovë, porse thotë se për më shumë se 2 muaj nuk ia kishte ndarë rrogën. Pranimin e ofertës së re s’e kishte menduar dy herë. “Fitimi del diku 100 euro më shumë se këtu në Kosovë. Mund të dalin deri në 1 mijë euro, por unë s’i marr aq. E këtu, në Kosovë, s’ke punë rregullisht,nga 2-3 muaj s’ta jep rrogën e ‘ta merr shpirtin’. Duhet me mbijetu diqysh”, rrëfen ai derisa nxjerr nga goja shtëllungën e tymit të fundit të cigares.
KOSOVA, PA MARRËVESHJE PUNËSIMI SEZONAL ME VENDET E BE-SË
Autoritetet e Kosovës nuk kanë arritur të nënshkruajnë asnjë marrëveshje të re me ndonjë nga shtetet e Bashkimit Evropian për punësim sezonal të qytetarëve të Kosovës. Mimoza Kqiku, këshilltare për informim e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje me ndonjë nga vendet e BE-së për punësim sezonal, mirëpo deri më tani nuk ka asgjë konkrete.
“Aktualisht, ne nuk kemi ndonjë marrëveshje me ndonjë nga shtetet e Bashkimit Evropian për punësim sezonal të qytetarëve tanë në këto shtete përkatëse, por jemi duke bërë përpjekje maksimale, jemi duke u takuar me ambasadorët e këtyre shteteve që të paktën të kemi në marrëveshje të tillë deri në fund të këtij viti”, thotë Kqiku.
Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare është mbi 30 për qind. Nisur nga ky nivel i lartë i papunësisë, punësimi sezonal në vendet e Bashkimit Evropian konsiderohet si një mundësi e mirë për të rinjtë. Në të kaluarën Kosova ka pasur marrëveshje për punësim sezonal me shtetin e Gjermanisë. Përfaqësues të bizneseve kërkojnë më shumë angazhim institucional për arritjen e marrëveshjeve për punësim sezonal.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se derisa mundësitë për rritjen e numrit të të punësuarve në Kosovë janë shumë të vogla, alternativa më e mirë është punësimi sezonal. “Punësimi sezonal në të kaluarën ka ndodhur edhe në tregun e punës në Kosovë dhe jashtë vendit, por jashtë vendit ka qenë një numër i vogël karshi kërkesave që ka pasur. Është neglizhencë e institucioneve të vendit që nuk kanë qenë angazhuar në arritjen e marrëveshjeve me vendet e BE-së për këtë punësim. Punësimin sezonal e ka vështirësuar edhe mosliberalizimi i vizave”, thotë Shahini.
Të rinj të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se do të punonin punë sezonale kudo dhe në cilindo shtet ku do t’u ishte ofruar mundësia. Arlinda, një e re nga qyteti i Podujevës thotë se do t’i ndihmonte një punë sezonale në ndonjë nga vendet e BE-së dhe në Kosovë, por ofertat për një gjë të tillë, janë të pakta. “Unë kam përfunduar shkollën e mesme tani jam duke bërë një praktikë si laborante e biologjisë. Sikur të kisha ndonjë ofertë për punë sezonale do ta pranoja me shumë dëshirë, porse nuk ka oferta të tilla në tregun e Kosovës”, thotë ajo.
Alban Reka thotë se interesimi i të rinjve për punë sezonale nuk mungon, por institucionet, sipas tij, nuk kanë bërë asgjë për të krijuar mundësi të tilla për të rinjtë. “Patjetër që do të punoja punë sezonale. Është një punë që do të ndihmonte mirë ekonomikisht”, shprehet Albani. Ndryshe, në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë.