Mbretëria e Nurmagomedov, kampioni i ri i botës në peshën e lehtë

Rusi Khabib Nurmagomedov është kampioni i ri i botës në peshën e lehtë në artet marciale mikse, pas fitores me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj Al Iaquinta. Dy sportistët dueluan mëngjesin e sotëm në Brooklyn, në eventin UFC-223, një ndër më të përfolurit e historisë e MMA. Gjyqtarët votuan 50-44, 50-43 dhe 50-43, të tri në favor të rusit, që merr kështu titullin kampion që deri pak kohë më parë e mbante Conor McGregor.

Një fitore e pritshme për rusin, por nuk pritej që kjo sfidë të shkonte deri në raundin e pestë, me Iaquinta që rivalizoi deri në fund. Por Nurmagomedov, që pa t’i ndryshonin rivalët 3 herë brenda një jave, ruajti përqendrimin dhe e meritoi fitoren, duke korrur suksesin e 26-të në karrierën e tij në UFC, ku nuk ka asnjë humbje. Një fitore pa shumë shkëlqim për të.

Nurmagomedov ishte superior në kafaz në të 5 raundet, e dominoi sfidën me grushtet e tij, u përpoq ta mbyllte atë më herët me disa kapje në tapet, por pa sukses. Por rusi asnjëherë nuk e vuri në diskutim fitoren edhe pse paraqitja e tij ishte jo në lartësinë e duhur, duke u shpallur kështu kampion bote në moshën 29-vjeçare. Titull që erdhi në fund të një jave të çmendur në UFC, me ngjarje nga më të pabesueshmet.