Bazuar në numrin e popullatës, Britania ka shkallën e tretë më të lartë globalisht. Pasi kaluan tre muaj në izolim gjatë pranverës, britanikët shpresonin se qeveria e kryeministrit Boris Johnson do ta jetësonte një strategji të re për mbrojtjen e vendit gjatë dimrit. Por, teksa shifra e të infektuarve po rritet sërish dhe ajo e vdekjeve po kalon 350-shin në bazë ditore, Anglia i është kthyer një tjetër izolimi më 5 nëntor. Tani, vendi është vetëm njëri prej shumë sosh që po ballafaqohet me përhapje të re të sëmundjes
Në pragun e një shtëpie me tarracë në veri të Anglisë, “gjahtari” i virusit, Colin Hutchinson, u vu ballë për ballë me valën e re të COVID-19 dhe me pengesat për ngadalësimin e përhapjes së tij. Kirurgu i pensionuar, Hutchinson, është pjesë e një ekipi lokal të “gjurmuesve të kontakteve” në Halifax të Yorkshires, që synojnë t’i identifikojnë personat e infektuar para se ata t’i infektojnë të tjerët. Përvoja e tij atë ditë mestetori, ka thënë ai, i shërbeu për të kuptuar pse “gjurmimi i virusit është tepër, tepër, i dobët” në Britaninë e Madhe. Kërkoi që të fliste urgjentisht me një grua 54-vjeçare që kishte rezultuar pozitive për COVID-19, me qëllim të identifikimit të kontakteve të saj. Dy spitalet e rajonit ishin të stërmbushur dhe vdekjet nga virusi ishin trefishuar në këtë zonë vetëm gjatë dy javëve të fundit.
Gruaja thatanike i doli në derë duke u kollitur. I kërkoi falje që nuk iu përgjigj në telefon, pastaj ia shpalosi Hutchinsonit hollësitë mbi gjashtë të tjerët që ishin të sëmurë. E mandej pasoi burokracia. Të gjashtit, që të gjithë vetëm pak hapa larg në brendi të shtëpisë, duhet rekomanduar që të izoloheshin. Por, sipas rregullave të sistemit anglez të testimit dhe gjurmimit, Hutchinsoni nuk do të lejohej të fliste me ta. Në vend të kësaj ai duhej të shkonte në shtëpi dhe t’i shkarkonte emrat e tyre në një bazë të dhënash, ashtu që një qendër e thirrjeve të mund t’i kontaktonte individualisht. “I gjithë procesi do të mund të përmbyllej aty, me një rrugë”, ka thënë Hutchinsoni, këshilltar lokal i partisë laburistë. Qeveria ka bërë të ditur se rregullat kanë për qëllim që ta sigurojnë konfidencialitetin e pacientëve. Për shumë ekspertë shëndetësorë, incidentet e tilla e shpërfaqin dështimin e sistemit për kontrollimin e COVID-19.
IZOLIM PAS IZOLIMI
Nga mesi i shteteve më të kamura të botës, Britania ka shkallën e dytë më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi në valën e parë të pandemisë, duke u radhitur vetëm pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bazuar në numrin e popullatës, Britania ka shkallën e tretë më të lartë globalisht. Pasi kaluan tre muaj në izolim gjatë pranverës, britanikët shpresonin se qeveria e kryeministrit Boris Johnson do ta jetësonte një strategji të re për mbrojtjen e vendit gjatë dimrit. Por, teksa shifra e të infektuarve po rritet sërish dhe ajo e vdekjeve po kalon 350-shin në bazë ditore, Anglia i është kthyer një tjetër izolimi më 5 nëntor. Tani, vendi është vetëm njëri prej shumë sosh që po ballafaqohet me përhapje të re të sëmundjes. Me më shumë se 12 mijë vdekje shtesë që nga 19 nëntori, Britania po shënon pothuajse katërfish më shumë vdekje për kokë banori se Gjermani, ani pse jo aq shumë sa Spanja apo Franca. Megjithatë, pak shtete i kanë bërë gjërat ashtu siç duhet.
Johnsoni, i cili është infektuar edhe vetë nga koronavirusi i ri, është fajësuar nga shumë shkencëtarë se ka vepruar tepër vonë për frenimin e përhapjes fillestare në pranverë. Sipas raportimit të Reutersit në fillim të vitit, prapa kësaj tragjedie fshihet dështimi për evidentimin e infeksioneve që në raportimin e parë të tyre, pa pasur nevojë për izolime të hershme dhe zbatimin e gjurmimeve dhe izolimeve efektive të rasteve, si në Azi dhe më vonë edhe në Gjermani. I rrethuar nga kritikat, Johnsoni ofroi shpresë. Ani pse rastet u shtuan sërish, ai ka thënë me plot bindje më 3 qershor se vendi do të arrijë “t’i zëvendësojë izolimet mbarëkombëtare me izolime individuale dhe, nëse duhet, me veprim lokal në vatrat e përhapjes”.
Një muaj më vonë, ai u tha ligjvënësve se tanimë është krijuar sistemi i testimit dhe gjurmimit të rasteve me COVID-19. Por, tani, pas gjithë kësaj, një hulumtim i Reutersit ka treguar se si mësimet nga vala e parë e pandemisë nuk janë nxjerrë dhe pse Anglia është detyruar sërish të vihet në izolim drastik. Masat e reja janë zbatuar, por dështimi i qeverisë për t’i ndarë të dhënat e tërësishme rreth përhapjes së sëmundjes me autoritetet lokale dhe publikun e krijuan përshtypjen e gabuar për sukses. Gjithë kjo rezultoi me atë që një ekspert i shëndetësisë e quajti “ajsberg” i infeksionit dhe shpiu drejt zbutjes së kufizimeve tepër herët në disa vende.
MUNDËSIA E HUMBUR
Në fillim të verës, kur vala e parë e COVID-19 kishte pushuar, shkencëtarët njoftuan qeverinë çfarë tani duhej bërë: një sistem për shtypjen e shpejt të shpërthimit të ri. Shtet e rajoneve Azi-Paqësor, si Kina, Koreja Jugore, Singapori, Australia dhe Zelanda e Re, kanë treguar se si hapat e shpejtë, lokalë dhe shtypës mund të jenë të efektshëm në frenimin e përhapjes. Por, veprimet e tilla duhet të jenë intensive.
Teksa po e kërkonin një institucion që do të mund ta menaxhonte sistemin e gjurmimit të kontakteve, Johnson dhe pjesëtari i Partisë Konservatorëve në Dhomën e Lordëve, Dido Harding, veçse e kishin një në qasje: Shërbimin Kombëtar Shëndetësor (NHS) që ofronte përkujdesje shëndetësore pa pagesë për të gjithë. Por, në vend të përdorimit të tij, qeveria e krijoi sistemin 12 miliardë funtesh për testim dhe gjurmim që operohet kryesisht privatisht. Pavarësisht kësaj, rastet nisën të përhapeshin. COVID-19 ishte kthyer. Johnsoni dhe ministrat e tij kishin parashikuar kaherë një valë të dytë në dimër. Por, jo kaq shpejt. Deri në shtator, kërkesa për teste tejkaloi kapacitetet disponuese. Sistemi shfaqi shenjat e para të çarjes. Në javën e 11 nëntorit, vetëm gjashtë nga 10 kontaktet e identifikuara nga personat e infektuar me koronavirus, përfshirë kontaktet brenda shtëpisë, ishin identifikuar dhe u ishte kërkuar të vetizoloheshin.
Shumë epidemiologë kishin njoftuar qeverinë qysh nga fillimi se nevojitej një qasje shumë ndryshe për ta shmangur valën e dytë. Në maj, trupi kryesor shkencor i Britanisë, “Royal Society”, kishte shfaqur nevojën për “integrimin lokal të sistemeve”. Qeveria u tregua e ngadaltë në përçimin e mesazhit. Për më tepër, një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë ka thënë se sistemi i testimit dhe gjurmimit “ka qenë përherë në bashkëpunim” me autoritetet lokale.
Teksa gjendja me pandeminë është përkeqësuar, rastet në rrethinën e Liverpoolit kanë prekur tavanin. Kufizimet në qendrat e përkujdesjes shëndetësore të qytetit janë ashpërsuar skajshmërish, duke e përfshirë në këtë mes edhe atë në të cilën jetonte nëna e qytetares Meehan, Peegy Curley. Një lajm i tmerrshëm i mbërriti Meehanit gjatë tetorit. Disa banorë të kësaj qendre kishin rezultuar pozitivë në testin për COVID-19. Pak kohë pas kësaj, nëna e saj shfaqi simptoma të temperaturës dhe nisi të kishte një kollë të lehtë. Edhe ajo rezultoi pozitive në testim. Derisa shëndeti i nënës së saj 91-vjeçare po rëndohej, Meehani më në fund u lejua që ta vizitonte. “Askush nuk dëshiron që të thirret për të hyrë aty dhe për t’i parë më të dashurit, kurse për ta bëhet qartazi tepër vonë kur të gjithë e dimë se është humbur kot shumë kohë e vlefshme për ta dhe për të tjerët”, ka thënë Meehani. Më 9 të nëntorit, dy javë pas testimit për COVID-19, nëna e Meehanit vdiq. (Reuters)