Londër, 28 gusht– Mbretëresha britanike e miratoi kërkesën e kryeministrit Xhonson për pezullimin e Parlamentit në kohëzgjatje prej pesë javëve.
Parlamenti u pezullua vetëm disa ditë para se deputetët të ktheheshin në punë në shtator dhe vetëm disa javë përpara afatit të Bregzit.
Kjo do të thotë se koha që deputetët kanë në dispozicion për të miratuar ligje për ndalimin e daljes së vendit nga BE pa marrëveshje të Bregzit më 31 tetor do të shkurtohet.
Kryeministri britanik Boris Xhonson, i kërkoi Mbretëreshës Elizabetë të mbyllte sesionin aktual të parlamentit për të hapur një sesion të ri pas fjalimit të mbretëreshës më 14 tetor për të parashtruar agjendën legjislative të qeverisë së tij.
Kryetari i Parlamentit, Xhon Berkau e cilësoi si “turp kushtetues” veprimin e kryeministrit dhe tha se qëllimi i qartë i kësaj mase është “të ndalet debati në Parlament në prag të Bregzitit dhe të pengohet puna e legjislativit në detyrën e tij për t’i dhënë formë kursit të vendit”.
Xhonson është zotuar ta nxjerrë Britaninë nga BE me ose pa marrëveshje për termat e shkëputjes.
Paraardhësja e tij, Teresa Mej, nuk arriti të marrë miratimin e parlamentit për marrëveshjen që arritën negociatorët e saj me Bashkimin Evropian.