Evis HALILI
Shkup, 22 mars – Edicioni i 56-të i Mbrëmjeve Poetike të Strugës edhe këtë vit mund të vijë pa ndonjë risi. Ura e bashkëpunimit poetik të këtij manifestimi do të qëndrojnë mbi promovimin e një gjuhe dhe të një kulture, asaj maqedonase, shkruan gazeta KOHA. Drejtuesit e festivalit kanë shpallur fituesin e këtij viti, por nuk kanë dhënë asnjë hollësi lidhur me mënyrën e organizimit dhe çështjen e debatuar prej vitesh të përdorimit të gjuhës shqipe. Kjo temë nuk është diskutuar as në Komisionin e Ministrisë së Kulturës gjatë ndarjes së buxhetit vjetor të festivalit. Gjithsesi, nga ky institucion thonë se ka ende kohë, deri në zhvillimin e këtij manifestimin në muajin gusht. Kështu shprehet sekretari shtetëror Behixhudin Shehapi, sipas të cilit, mungesa e vullnetit politik e ka lënë këtë çështje të mbetur pezull prej vitesh. Vetë ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska, e pranishme në këtë konferencë, ndër të tjera u shpreh se MPS janë një manifestim me renome botërore dhe afirmues e fuqishme e gjuhës maqedonase dhe letërsisë maqedonase dhe me etablimin e vet është shndërruar në një brend kulturor, përmes të cilit Maqedonia njihet në botë që prej 60 vitesh. Zhvillimi i këtij manifestimi është i huaj edhe për vetë qytetin e Strugës. Komuna e bojkoton pjesëmarrjen e vet, ndërsa ish kreu i Komunës, Zijadin Sela, po ashtu ka refuzuar të jetë edhe prezent në hapjen e festivalit. “Çështja e gjuhës shqipe është diskutuar vazhdimisht, edhe pas kërkesave dhe ankesave që janë bërë, por me drejtuesit nuk kemi arritur asgjë. Ata insistojnë në faktin se ky është një manifestim ndërkombëtar dhe si i tillë përdorimi i gjuhës shqipe, për ta është i paarsyetuar. Por, në fakt duhet të ndryshojë dhe besoj se një gjë e tillë do të ndodhë. Kemi disa muaj përpara nesh dhe me një qeveri të re, por më shumë vullnet të ri politik për t’u ndryshuar gjërat dhe barazimin e gjuhës shqipe me atë maqedonishte”, thotë për KOHA, Shehapi. Sesi mund të arrihet një gjë e tillë, ende nuk dihet. Vitin e kaluar ajo që u quajt arritja më e madhe ishte vendosja e gjuhës shqipe në bilbordat në qytet dhe në skenën e festivalit, krahas maqedonishtes dhe anglishtes. Ndërsa sa i takon ndryshimeve në skenarin e përgjithshëm, promovimit edhe të kulturës dhe traditës shqiptare të qytetit nuk u arrtit asgjë. Madje, edicioni i vitit të kaluar kishte shumë risi. Një prej tyre ishte “arratia” nga Struga në Ohër, Resnjë, Manastir e Veles, zhvendosje kjo e cila qoftë edhe për një ditë u justifikua me shmangien e lokalizmit dhe që atmosfera e festivalit të përçohet në të gjithë Maqedoninë. Por, ndryshimi i destinacionit shihet edhe si një hapat e parë të një zhvendosje që mund ta shohim këtë vit.
SIMIQ FITUES I “KURORËS SË ARTË”
Fituesi i vitit 2017 është poeti serbo-amerikan Çarls Simiq. Fituesi i “Kurorës së Artë” ka lindur në Beograd, prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është fitues i një sërë çmimesh të tjera si Pulicer, Edgar Alan Po, Grifin e të tjera. “Një zë origjinal që përmes një përvoje surrealiste evoluoi në një vëzhgues karakteristik të përditshmërisë, me tema të theksuara morale e filozofike, varg të qartë dhe serioz, por njëherazi edhe argëtues. Ai është një poet që krijon në shpirtin e imagjinatës së errtë dhe humorit ironik, thonë për të kritikët”, deklaroi kreu i Këshillit drejtues të MPS, Sllave Dimovski.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara