Evis HALILI
Shkup, 20 mars – Fituesi i Kurorës së artë të Mbrëmjeve poetike të Strugës pritet të shpallet të mërkurën, më 21 mars, në Ditën Botërore të Poezisë, shkruan gazeta KOHA. Përveç ndryshimeve të pritshme sa i takon zgjedhjes së drejtorit të ri, pasi mandati i atij aktual ka kaluar prej disa muajsh dhe reduktimit të buxhetit në një të tretën më pak sesa vitet e tjera, nga ky manifestim nuk paralajmërohen ndryshime të tjera. Edicioni i fundit u shoqërua me zhurmë sa i takon shkarkimit dhe rizgjedhjes së kryetarit dhe një pjese të anëtarëve të Këshillit Drejtues, pak ditë përpara nisjes së festivalit.
Por këto emërime nuk sollën asnjë ndryshim në përmbajtjen e manifestimit në tërësi, që prej vitesh kritikohet jo vetëm për mënyrën e izoluar sesi zhvillohet, por edhe për frymën monoetnike që mbizotëron në të gjitha aspektet e organizimit.
Poeti Salajdin Salihu thotë se është profili që mban MPS prej më shumë se një dekade ka krijuar ngërçin e komunikimit ndërkulturor.
“Ka vite që Mbrëmjet Poetike të Strugës janë jashtë interesimit tim, prej se aty në plan të parë ishte politika dhe jo poetika. Duke u ndjekur kjo logjikë e mbrapshtë, ky manifestim, dikur i vizituar nga emra të rëndësishëm të letërsisë botërore, sot është i zbehur, i pa freskuar. Drejtuesit e këtij manifestimi, përgjatë dhjetëvjeçarit të fundit, në vend se të krijonin ura komunikimi, ngritën gardhe të ndarjes. Prandaj, besoj se është koha që Mbrëmjet Poetike të Strugës të formatohen ndryshe dhe të jenë me frymë ndërkulturore. Të jenë poetike dhe apolitike”, thotë për KOHA, Salihu. Komuna e Strugës vazhdoi me bojkotin dhe ndërprerjen e komunikimit, duke mos deleguar as anëtarin e vet në këshill.
Ushtruesi i detyrës, drejtori aktual, Mite Stefovski, kritikat dhe bojkotin në këtë aspekt i cilëson si të panevojshme, për vetë karakterin që ka ky manifestim. Sipas tij, dy edicionet e fundit kanë sjellë freski, përmes formatimit dhe dizajnit të ri.
“Pakënaqësi kemi edhe nga poetët maqedonas, në fakt nga të gjithë ata vendas të cilët na drejtohen me kritika për përfshirjen e vogël, por në fakt fokusi është tek autorët e huaj. Duhet të kuptohet dimensioni i këtij manifestimi, i cili çdo vit po zhvillohet me sukses. Nuk duhet të vendoset në kontekst politik se atëherë do të humbasë shumë nga konteksti letrar dhe ndërkombëtar që ka”, thotë Stefovski.
Sa i takon marrëdhënieve të ngrira me komunën dhe ndryshimeve në përmbajtjen dhe mënyrën organizative Stefovski nuk paralajmëron ndryshime.
Këshilli Drejtues ka si kryetare Elizabeta Shelevën, ndërsa figuron si i pandryshuar emri i anëtarit Xheladin Poshka, si përfaqësues i punonjësve të Festivalit, kurse i pazëvendësuar ka mbetur vendi i anëtarit të pestë të bordit, përfaqësuesit të komunës, pozicioni ky që është bojkotuar prej disa vitesh nga komuna. (koha.mk)