Shkup, 8 prill – Bujqit që kanë obligime pune në sipërfaqet e tyre bujqësore, të cilat ndodhen në zonën e fshatit ku ata jetojnë, mund të lëvizin gjatë ndalesës së lëvizjes, kryesisht me qëllim të kryerjes së veprimtarive të punëve pa marrë leje për lëvizje, njoftoi Ministria për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave (MBPEU).
Bujqit, shtohet në komunikatë, toka bujqësore e të cilëve ndodhet jashtë fshatit / qytetit ku ata jetojnë dhe duhet të udhëtojnë nga një fshat në tjetrin, të qarkullojnë në rrugë rajonale dhe kanë detyrime të lidhura me prodhimin duhet të nxjerrin leje për lëvizje.
“Nxjerrja e lejeve për ata fermerë që duhet të udhëtojnë nga vendi i tyre i banimit në vendin ku ndodhet toka e tyre bujqësore ose ferma e tyre, do të zbatohet si deri më tani, duke dërguar të dhëna në Njësitet rajonale të MBPEU. Të gjitha licencat e lëshuara deri më tani vazhdojnë të jenë të vlefshme deri në fund të gjendjes së jashtëzakonshme”, thuhet në komunikatë.
Ministria vëren se lëshimi i lejeve për lëvizjen e bujqve mbi moshën 67 vjeçare është rreptësisht e ndaluar. Ata duhet të telefonojnë Njësinë rajonale të MBPEU dhe të paraqesin një anëtar të ri me të cilin kanë lidhje familjare (djalin, vajzën, dhëndrin, nusen, nipin) dhe atij personi do t’i jepet leja e lëvizjes. Të drejtë të lëvizjes ka vetëm një anëtar i ndërmarrjes bujqësore.
“Kërkesat për leje paraqiten me telefon ose me postë elektronike në njësinë rajonale të MBPEU, nga e hëna deri të enjten, jo më vonë se ora 12. Lejet e gatshme shtypen nga punonjësit e njësisë rajonale dhe u jepen bujqve. Lejet e lëshuara për lëvizjen e bujqve janë të vlefshme deri në fund të gjendjes së jashtëzakonshme. Të drejtë të lëshimit të lejeje kanë vetëm bujqit e evidentuar në Regjistrin e vetëm të MBPEU. Kompanitë, veprimtaria e të cilave ka të bëjë me prodhimin bujqësor, kanë të drejtë vetë të lëshojnë certifikata për lëvizjen e punonjësve të tyre”, theksojnë në komunikatë.
Ministria u bën thirrje fermerëve që të respektojnë rekomandimet e reja të Qeverisë dhe të përdorin lëvizjen kryesisht për detyrime pune, në mënyrë që të kontribuojmë bashkërisht në përballjen me koronavirusin në vendin tonë.