Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE’së, ku do të duhej të kalonte çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët, do të mblidhet sot dhe nesër.
Akoma nuk është publikuar agjenda e plotë e këtij Këshilli, mirëpo ç’është e rëndësishme, pikërisht në këtë agjendë luftonte që të përfshihej Kosova.
Madje, për të mundësuar futjen në agjendë të BE’së, që nënkuptonte se procesi i liberalizimit do të shënonte progres, kishte shkuar në Austri edhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Haradinaj kishtë kërkuar nga kancelari austriak, Sebastian Kurz, vendi i të cilit e ka udhëheqjen e BE’së, ku kërkoi qartë që Kosova të përfshihet në agjendë, por kjo gjë nuk ndodhi.
Se Kosova nuk është fare në agjendë të BE’së për liberalizim të vizave, e konfirmoi në fillim të kësaj jave Komisionari i BE’së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn, i cili tha se vit i preferueshëm për heqjen e vizave është 2020’a.
”Puna është kryer nga Kosova kur është marrë ky vendim, pastaj ishte radha jonë që ta implementojmë këtë, ku edhe kemi dhënë raportin pozitiv. Dhe tash çështja i takon Këshillit Evropian, ku do të merret vendimi dhe kam besim se në vitin 2020 do të ndodhë, por ndoshta edhe më herët”, kishte deklaruar Hahn të hënën.
Sidoqoftë, kosovarët nuk e kanë mirëpritur këtë injorim të çëshjtes së Kosovës. Por jo vetëm kosovarët, reagim kishte edhe nga eurodeputetë, si dhe raportuesi dhe ish-raportuesja për Kosovën në BE.