Ashtu siç dhe ishte lajmëruar, opozita ka nisur grumbullimin në ambientet e Drejtorisë së Policisë.
Protestuesit kanë bllokuar hyrjen e Policisë së Tiranës, ndërkohë që dhjetra forca policie ndodhen aty për të mbajtur situatën në kontroll.
Sipas informacioneve, deri tani janë liruar 13 të arrestuar.
Në protestë pritet të marrë pjesë edhe kreu i PD, Lulzim Basha.
Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka deklaruar sot se protestat e opozitës janë demokratike dhe ato nuk kanë qenë në proporcion me dhunë që ushtroi policia një ditë më parë. Salianji tha në një prononcim për mediat se protestat do të vijnë duke u radikalizuar.
“Të gjithë protestat tona janë demokratike, dhe e djeshme ishte protestë demokratike dhe jo në proporcion me dhunën e ushtruar nga policia.
Por protestat do të vijnë duke u radikaluzuar sepse nuk mund të lejojmë instalimin e një diktature në vitin 2019”, ka thënë Salianji.
Lajmi për protestën e sotme u bë e ditur pak pas mesnatës së të shtunës nga kreu i demokratëve, Lulzim Basha, menjëherë pas mbledhjes së opozitës mbajtur në orën 00:15.
Protesta po zhvillohet para ambjenteve të drejtorisë së Policisë së Tiranës për lirimin e të arrestuarit.