Shkup, 4 gusht – Kuvendi sot në mbledhjen e parë konstituive i zgjodhi kryetarin dhe anëtarët e Komisionit verifikues, i cili në pauzën që e dha kryetari i përbërjes së kaluar, Talat Xhaferi, i cili e udhëheqë mbledhjen, duhet ta shqyrtojë raportin e KSHZ-së për zgjedhjet e mbajtura të parakohshme parlamentare. Kryetare e Komisionit, me propozim të Xhaferit u zgjidh deputetja Jagoda Shahpaska, ndërsa anëtarë deputetët Izet Mexhiti, Bllagica Llasoska, Sonja MIrakovska dhe Safije Sadiki Shaini.
“E lus kryetaren e Komisionit verifikues të thirrë mbledhje në të cilën do ta shqyrtojë raportin e KSHZ-së për zgjedhjet e mbajtura të parakohshme parlamentare për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të mbajtura më 15 korrik 2020 dhe plotësisht të parashtrojë raport me propozimin për verifikim të mandateve”, tha Xhaferi. Mbledhja konstituive e përbërjes së ardhshme parlamentare mbahet në sallën Kupola e madhe në pajtim me protokollet shëndetësore për mbrojtje nga përhapja e Kovid-19. Në mbledhje, nga 120 deputetë, nuk morën pjesë vetëm 3. Pika e tretë dhe e katër janë zgjedhja e kryetarit, zëvendëskryetarit, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre të Komisionit kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së veriut.
Funksioni Kryetar i Kuvendit i takon partive të cilat do të sigurojnë shumicë për formimin e qeverisë, proces i cili formalisht fillon sot, kështu që nuk mundet me siguri të pritet se ai do të zgjidhet në mbledhjen konstituive. Në Kushtetutë është paraparë që presidenti i vendit në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit, mandatin për përbërje të Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedhë Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Presidenti Stevo Pendarovski tashmë paralajmëroi se planifikon të mbajë konsultime me partitë politike pas konstituimit të Parlamentit, pas çka, në pajtim me dispozitat kushtetuese, do ta ndajë mandatin për formim të qeverisë, partisë, përkatësisht partive që do të sigurojnë shumicë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet. Në mbledhje, si mysafirë janë ftuar presidenti Pendarovski, kryeministri në largim, Oliver SPasovski, ish-presidentë të vendit dhe të Kuvendit, kryetarët e gjykatave kushtetuese, supreme dhe të Këshillit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, prokurori publik dhe kryetari i Këshillit për prokurorë publikë, Avokati i popullit, anëtarë të Qeverisë dhe guvernatorja e Bankës popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.