Prishtinë, 21 shtator – Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë të premten e ardhshme, më 25 shtator, në qytetin shqiptar Shkodër do të mbajnë mbledhje të përbashkët, në të cilën pritet nënshkrimi i tri marrëveshjeve të reja ndërkombëtare dhe shqyrtimi i mundësive për avancimin e atyre të cilat tashmë janë arritur.
Në seancën e sotme të Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministrja Albulena Balaj – Halimaj, e cila është koordinatore nga ana e Kosovës, informoi se draft-marrëveshjet të cilat do të nënshkruhen në Shkodër tashmë janë përgatitur, ndërsa deri nesër pritet edhe finalizimi i procedurave për harmonizimin e tyre sipas ligjeve të të dyja shteteve.
Paraprakisht Balaj – Halimaj në një deklaratë për mediat e Prishtinës paralajmëroi nënshkrimin e tri, siç tha, “marrëveshjeve të mëdha”, si dhe plotësim të një pjese të atyre të cilat janë arritur paraprakisht.
“Bëhet fjalë për tri, do të thosha, marrëveshje të mëdha: e para ka të bëjë me doganën (për nevojat e Kosovës) në Durrës, pastaj për linjën hekurudhore dhe për hidrocentralin i cili do të ndërtohet në Republikën e Shqipërisë për Kosovën”, deklaroi zëvendëskryetarja e Qeverisë së Kosovës.
Seanca e së premtes në Shkodër do të jetë mbledhja e gjashtë e përbashkët e qeverive të të dyja vendeve. Mbledhja e parë e përbashkët u mbajt më 11 janar të vitit 2014 në Prizren dhe ishte udhëhequr nga kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Edi Rama, të cilët atë ngjarje e quajtën “historike”.