“Na duhet mbledhje sektoriale, ku do të ngriten të gjitha shqetësimet, të gjitha temat përfshirë dhe hapjen kufirit Stançiç-Bellanoc ku veç më ka filluar të punohet për ndërtimin e pikës kufitare, pra të diskutohen të gjitha zgjidhjet ashtu siç punuam paraprakisht një kohë të gjatë kur bëmë mbledhje me Qeverinë e Shqipërinë”, theksoi Hoxhaj
Fatos RUSHITI
Shkup, 24 gusht – Zhvillimet e reja në të dyja vendet, Marrëveshja për emrin me Greqinë dhe agjenda e ngjeshur për nisjen e dialogut Kosovë-Serbi, kjo nga njëra anë dhe nga ana tjetër qëllimi që të mbahet një mbledhje substanciale dhe jo vetëm për dekor, janë arsyet kryesore pse është vonuar mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë. Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një prononcim për gazetën KOHA, thotë se në pozitën e koordinatorit për organizimin e mbledhjes së përbashkët bashkë me koordinatorin nga Qeveria e Maqedonisë, Bujar Osmani, janë në kontakte të vazhdueshme me ministritë përkatëse me qëllimin që të përgatiten për lidhjen e marrëveshjeve në disa sfera që prekin interesin e qytetarëve në të dyja vendet.
“Janë disa çështje në lëminë e arsimit që duhet gjendur zgjidhje afatgjate, pastaj Lëvizja e lirë e njerëzve, nga sfera e zhvillimit ekonomik dhe qarkullimit të mallrave që po punojmë në detaje për të qenë sa më të përgatitur gjatë mbledhjes së përbashkët. Kjo, pasi nuk është qëllimi të mbajmë mbledhje për promovim në media, për dekor, por qëllimi është të organizojmë mbledhje substanciale”, tha Enver Hoxhaj, duke shtuar se në mbledhjen e përbashkët do të krijohet një raport i ri strategjik me Maqedoninë njësoj siç bëri më herët Kosova me Qeverinë e Shqipërisë.
“Na duhet mbledhje sektoriale, ku do të ngriten të gjitha shqetësimet, të gjitha temat përfshirë dhe hapjen kufirit Stançiç-Bellanoc ku veç më ka filluar të punohet për ndërtimin e pikës kufitare, pra të diskutohen të gjitha zgjidhjet ashtu siç punuam paraprakisht një kohë të gjatë kur bëmë mbledhje me Qeverinë e Shqipërinë”, theksoi Hoxhaj.
Për në shtator, shtoi Hoxhaj, është planifikuar edhe një takim me zëvendëskryeministrin Bujar Osmani për të diskutuar mes tjerash edhe kohën më të përshtatshme për mbledhjen e përbashkët. Ndërkaq nga Qeveria e Maqedonisë thonë se përgatitja e Marrëveshjes për pranimin e Lejes së vozitjes dëshmon për përkushtimin e të dyja Qeverive që të ndërtojnë marrëdhënie të mira në shumë sfera me interes për qytetarët e të dyja vendeve.
“Pengesa nuk ka pasur për mbledhjen e përbashkët, përkundrazi. Është punuar me intensitet mes dy koordinatorëve të caktuar nga Qeveritë e dyja vendeve – Bujar Osmani nga Maqedonia dhe Enver Hoxhaj nga Kosova dhe procesi ka shkuar shumë mirë në harmonizimin e shumë çështjeve mes dyja vendeve”, thotë për KOHA, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha. Ai shtoi më tej se së shpejti do të dihet edhe data për mbledhjen e përbashkët me shpresë se kjo do të ndodh brenda këtij viti, deri më 31 dhjetor.
Ndryshe, më 15 mars të këtij viti, në Kaçanik të Kosovës u takuan zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmani. Hoxhaj në mbledhjen e Qeverisë njoftoi për koordinimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
“Në vazhdën e traditës së mirë po punojmë intensivisht që ta kemi një mbledhje sa më shpejtë. Koha dhe vendi i takon ta caktojnë Haradinaj dhe Zaevit. Janë diku 30 tema që do të duhej t’i trajtojmë. Ka dhe marrëveshje të karakterit bilateral të fushave te ndryshme. Ne kemi shkuar me një regjistër të temave ne mënyre konkrete meqë duam që në mbledhjen e parë të këtë sa më shume përmbajtje”, pati thënë Enver Hoxhaj pas këtij takimi. Ndërsa Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë mbledhjes qeveritare në Prishtinë e pati vlerësuar Maqedoninë si një partner serioz për Kosovën, duke përmendur marrëdhënien e fuqishme me shtetin fqinj.
“Përgatitja e mbledhjes ka implikime protokollare dhe kohore. Duhet t’i dimë saktë temat. Ju lutem t’i bëni gati, merreni me seriozitet takimin e dy qeverive t’i japim kuptim kohës dhe energjisë. Do të ishte mirë të jetë takim domethënës”, pati deklaruar Haradinaj. Nga ana tjetër, mes Kosovës dhe Maqedonisë marrëdhëniet reciproke mes qeverive nuk kanë qenë gjitha të mira. Kjo në kuptimin e mos bashkëpunimit mes Policive nga të dyja vendet, sidomos në rastin e Kumanovës në maj të 2015-ës. Një shkëmbim zjarri i cili shpërtheu gjatë një bastisjeje të policisë në mes të forcave të policisë dhe një grupi të armatosur ndodhi më 9 dhe 10 maj 2015 në qytetin e Kumanovës. Gjatë të shtënave, tetë policë maqedonas dhe 10 nga militantët u vranë, ndërsa 37 oficerë u plagosën. Të shtënat përfunduan më 10 maj 2015 në një operacion nga policia maqedonase dhe forcat tjera të armatosura, ku 28 njerëz u arrestuan dhe akuzuar për “terrorizëm”. Një aspekt tjetër i bashkëpunimit joadekuat mes të dyja qeverive llogaritet edhe marrëveshja për njohjen diplomave universitare, nga ku një shtetas i Maqedonisë që ka mbaruar shkollimin në Kosovës, i duhet të vërtetojë përveç Universitetit, edhe në Komunën ku e ka selinë Fakulteti përkatës , vërtetim duhet të marrë edhe në Ministri të Arsimit, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe në Ambasadën e Maqedonisë në Kosovë, gjë që e njëjta nuk ndodh me njohjen e diplomave më Shqipërinë dhe vendet tjera. Kjo marrëveshje vazhdon të jetë aktive edhe pasi Kosova fitoi të drejtën për vulën apostile.
Në gusht të vitit të kaluar, nga Kosova pati reagime të ashpra lidhur me paralajmërimin e kryeministrit Zoran Zaev se Qeveria do të votojë e përmbajtur për pranimin e Kosovës në UNESKO. Reagime pati edhe nga opinion vendor shqiptar dhe nga mediat me çka më pas Zoran Zaev u detyrua të ndryshojë qëndrime për të njëjtën çështje. (koha.mk)