I pyetur për mbledhjen e përbashkët në mes Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë, ambasadori Dedaj thotë se mbledhja do të mbahet pasi Maqedonia dhe Greqia të përmbyllin Marrëveshjen e Prespës
Urim HASIPI
Tetovë, 24 janar – Ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj, vlerëson se ndërtimi i autostradës “Arbën Xhaferi” Prishtinë-Shkup, është shumë i rëndësishëm. Ai ka thënë se vazhdimi i ndërtimit të kësaj autostrade në pjesën e Maqedonisë duhet të jetë prioritet për autoritetet e shtetit të Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA.
“Në takimet që kam pasur me liderët e institucioneve, por edhe me zëvendëskryeministrin Bujar Osmani e kam shtruar çështjen e fillimit të punimeve në pjesën e Maqedonisë, sepse ndërtimi i autostradës Shkup-Prishtinë është tepër i rëndësishëm edhe për ofrimin tonë edhe për lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve dhe për komunikimin më të lehtë mes dy vendeve tona dhe shpresoj dhe jam optimist se ajo do të realizohet në një të ardhme të afërt dhe shpejt siç i kemi marrë premtimet, do të fillojnë edhe punimet”, tha ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj, pas takimit të sotëm në Komunën e Tetovës. I pyetur për mbledhjen e përbashkët në mes qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë, ai thotë se mbledhja do të mbahet pasi Maqedonia dhe Greqia të përmbyllin Marrëveshjen e Prespës.
“Mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive e kemi lënë për një moment tjetër. Tani pas aprovimit të amendamenteve në Parlamentin e Maqedonisë, presim edhe rezultatet nga Parlamenti i Greqisë dhe pastaj do hapim edhe interesin e dy palëve që sa më shpejtë të realizohet mbledhja e dy qeverive dhe të dalim me projekte dhe programe të përbashkëta”, deklaroi Dedaj. Ai ka thënë se të dy vendet duhet të intensifikojnë bashkëpunimin për të rritur zhvillimin ekonomik.
Dedaj këto komente i ka bërë pas takimit që ka realizuar me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. “Biseduam për zhvillimet e përgjithshme në vend. Vlerësuam se vendi ynë ndodhet në një moment jashtëzakonisht të veçantë të zhvillimit dhe progresit. Vlerësuam bashkëpunimin mes dy vendeve dhe ajo që u theksua ishte edhe bashkëpunimi në nivel lokal, ndërmjet komunës së Tetovës dhe qyteteve të Kosovës, duke patur parasysh se Tetova është pjesë e lidhjes së bashkive shqiptare, në ndërkohë edhe bashkëpunimi në kuadër të fondeve IPA jep mundësi që të intensifikohen këta lidhje”, tha Arifi. Ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj, më pas ka realizuar takim edhe me kryetarin e Komunës së Tearcës, Isen Asani. Në fokus të këtij takimi ka qenë bashkëpunimi i kësaj komune me komunat e Kosovës në shumë sfera. (koha.mk)