Shkup, 17 qershor – Kryetarja e Komisionit kuvendor për Arsim, Shkencë dhe Sport, Zhaklina Llazarevska nga LSDM e ndërpreu mbledhjen para se të përcaktohet rendi i ditës në të cilin janë dy propozim-ligje – për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për arsimtarët dhe bashkëpunëtorët profesionalë në shkollat fillore dhe të mesme dhe për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Byronë për Zhvillim të Arsimit, në lexim të parë.
Deputetët e opozitës reaguan ashpër se po u shkurtohet e drejta e prononcimeve procedurale para se të votohet për rendin e ditës, duke e vlerësuar atë si shkelje ligjore dhe rregulloreje, pas çka Llazarevska e ndërpreu mbledhjen kuvendore.
Paraprakisht, deputetja Vjollca Ademi nga BDI-ja kërkoi që diskutimet të jenë në kuadër të asaj që është në rend dite dhe të respektohet Rregullorja e kuvendit, duke pyetur se çka ka të keqe në atë që të debatohet për diçka që do t’iu sigurojë siguri ekonomike arsimtarëve me transformimin e marrëdhënies së tyre të punës prej në kohë të caktuar në kohë të pacaktuar, të debatohet për përparim të tyre më të shpejtë dhe zhvillim të karrierës.