Politikat qeveritare të karakterit ekonomik, tash e njëmbëdhjetë vite kanalizohen sipas interesave te ngushta të një lobi politik, i udhëhequr nga politikanë e biznesmenë maqedonas, ku e kanë vështirë të kenë qasje politikanët dhe biznesmenët shqiptarë. Gazeta KOHA, në bazë të një hulumtimi të bërë në terren, ka evidentuar një sërë kompetencash të cilat i kishte Ministria e Ekonomisë, para njëzet viteve, e të cilat tani nuk i ka
Zejnulla VESELI
Shkup, 11 maj – Në Maqedoni ka vite që është prezent një paradoks në mënyrën e funksionimit të disa institucioneve, sidomos kur ato janë ministri që udhëhiqen prej kuadrove shqiptarë. Paradoksi ka të bëjë me mbivendosjen e kompetencave nga ana e kuadrove maqedonase, duke i zbritur në nivele të dorës së dytë kompetencat e kuadrove (ministrave) shqiptare, shkruan gazeta KOHA.
Njohësit e jetës institucionale vënë në dukje tendencën e heshtur të kryeministrave maqedonas (tash e 11 vite) për të mbajtur në kontroll disa ministri të udhëhequra nga kuadro shqiptarë. Arsyeja e kësaj “mbikëqyrjeje”, sipas këtyre njohësve, është që politikat qeveritare të kanalizohen sipas interesave te ngushta të një lobi politik, i udhëhequr nga politikanë e biznesmenë maqedonas, e ku nuk do të mund të kenë qasje politikanët dhe biznesmenët shqiptarë.
Njëra prej ministrive që ka qenë në vazhdimësi e fokusuar nga këto lobe, e ku mbivendosja e kompetencave është bërë në emër të njëfarë koordinimi me zëvendëskryeministrin për Çështje ekonomike (që “rastësisht” qëllon të jetë biznesmen, ose në të ardhmen është kandidat potencial për t’u bërë biznesmen), tash e 20 vite ka qenë ajo e Ekonomisë.
Ish kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderes Kuqi thotë për KOHA se nga viti 2002 e deri më sot gjithmonë kur Ministrinë e Ekonomisë e kanë udhëhequr kuadro shqiptarë, ka qenë problematike sa i përket kompetencave.
“Ministria e Ekonomisë e kryesuar nga kuadrot shqiptarë 11 vitet e fundit ka stagnuar sa i përket përkrahjes apo realizimit të projekteve zhvillimore në pjesën Veriperëndimore të Maqedonisë dhe kjo është falë pengesave të partnerëve maqedonas të koalicionit qeveritar, duke vendosur edhe një filtër tjetër, për të mos thënë organ kontrollues, i quajtur zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, i cili varësisht nga periudhat kohore sa shqiptarët kanë qenë në krye të Ministrisë së Ekonomisë, këta të fundit totalisht i kanë vënë nën hije, duke e shndërruar këtë ministri në sportel të zëvendëskryeministrit për Çështje ekonomike”, thotë Kuqi.
Ministrave shqiptarë nuk u ka munguar dija dhe profilizimi përkatës për të udhëhequr projekte të caktuara, por kjo është pamundësuar për shkak të “duarve të lidhura” që jo rrallë i kanë patur për të vendosur për projekte të rëndësishme. Këtë mendim e mbështet edhe Kuçi, por ai ka edhe vërejtje për disa kuadro shqiptarë, të cilët, sipas tij, kanë qenë të paaftë për të udhëhequr me këtë ministri dhe për rrjedhojë ata asnjëherë nuk e kanë përfillur dorën e shtrirë të komunitetit të biznesit për bashkëpunim nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.
Gjatë këtyre dhjetë viteve, sqaron Kuqi, komuniteti i biznesit shqiptar ka dalë me shumë iniciativa apo projekte drejtuar Ministrisë së Ekonomisë të cilat janë pranuar por asnjëherë nuk janë realizuar për shkak të pamundësive që kishin ministrat shqiptarë.
“Edhe nëse ka pasur një iniciativë dhe ndonjë biznesmen shqiptar ka plotësuar të gjitha kushtet për të realizuar ndonjë projekt, edhe për kundër faktit se ka kaluar në Ministrinë e Ekonomisë apo Qeveria e ka miratuar këtë projekt, është pamundësuar për jetësim. Po ju tregoj një shembull konkret. Kur filluan t’ju jepen koncesionet subjekteve ekonomike shqiptare, më vonë kjo u është pamundësuar, gjegjësisht, është anuluar nga kryetarët e komunave. Kryetari i Komunës Ilinden të Shkupit, kuadër i VMRO-së, pa kurrfarë arsyetimi e tërheq koncesionin edhe për kundër të gjitha shpenzimeve që i kishte bërë një kompani shqiptare për marrjen e koncesionit. Pra, fjalën e fundit për të parandaluar realizimin e projektit e ka dhëne kryetari i komunës me arsyetim se ky koncesion nuk guxon të realizohen nga kompani shqiptare. Kjo flet se sa ministri shqiptar i Ekonomisë ka pasur forcë veprimi, kur një kryetar komune nuk e përfill aspak Ministrinë e Ekonomisë edhe përkundër faktit se kjo ministri e ka dhënë këtë koncesion. Nga pamundësia për të kundërshtuar këtë vendim, kjo Ministri ka qëndruar nën hije dhe anulon apo miraton vendimin ashtu siç i thotë një kryetar komune apo zëvendëskryeministri për çështje ekonomike. Ndërsa edhe sot aspak nuk problematizohet fakti se zëvendëskryeministri për çështje ekonomike ende e ka nën kontroll Ministrinë e Ekonomisë edhe përkundër faktit se vjen nga komuniteti i biznesit “, thotë Kuqi.
Në anën tjetër, ish-ministri i Ekonomisë, që ishte edhe dhe ministri parë shqiptarë që ka kryesuar këtë ministri nga viti 1998-2002, Besnik Fetai, kuadër i Partisë Demokratike Shqiptare, thotë se gjatë periudhës sa ai ka qenë ministër, fjala e fundit ka qenë e ministrit të Ekonomisë dhe se nuk pasur kush që ka mundur ta ndryshojë veprimin e ministrit. Ai numëron një varg kompetencash që i kishte më parë Ministria e Ekonomisë, e që tani nuk i ka.
“Në periudhën kur unë kam qenë në krye të Ministrisë së Ekonomisë, askush nuk ka mundur të ushtrojë kontroll apo të ndryshojë vendimet që i kamë marrë unë si ministër. Në kohën time, këto ishin kompetencat nën udhëheqjen e Ministrisë se Ekonomisë: Sektori i tregtisë ndërkombëtare mbi importin e mallrave dhe shërbimeve, Doganat, Rezervat Shtetërore, të gjitha këto ishin nën kontrollin e Ministrisë së Ekonomisë, tani janë e nën kontrollin e Ministrisë së Financave dhe Bujqësisë. Mjetet financiare për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ishte në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë, kurse tani ka kaluar në kompetencë të zëvendëskryeministrit për Çështje ekonomike dhe Ministrisë së Financave. Po ashtu edhe IPA fondet ishin nën kontrollin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, kurse tani është nën mbikëqyrjen e Sekretariatit për çështje të euro integrimeve dhe Ministrisë së Financave. Mjetet financiare për mbështetjen e eksportit ishin nën udhëheqjen e Ministrisë së Ekonomisë, kurse tani me këtë çështje merret Ministria e Financave. Shitja e kapitalit shtetëror udhëhiqej nga Ministria e Ekonomisë, kurse tani – Ministria e Financave. Fusha e energjetikës menaxhohej nga Ministria e Ekonomisë, kurse tani janë zëvendëskryeministri për Çështje ekonomike dhe Ministria e Financave që e thonë fjalën e fundit”, thotë për gazetën KOHA, Besnik Fetai, ish-ministër i Ekonomisë së Maqedonisë. (koha.mk)